ATF nxjerr raportin

TIRANË - Ekspertët e ATF-së, pas verifikimit të materialeve dhe provave përkatëse, përfunduan raportin e plotë kriminalistik të vendit të shpërthimit në Gërdec. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se raporti voluminoz i hartuar nga gjashtë ekspertët e ATF-së, mbërriti pak ditë më parë në këtë institucion dhe po i nënshtrohet procesit të përkthimit, për t’iu vënë në dispozicion grupit hetimor të çështjes. Paraprakisht, thuhet se nga raporti voluminoz është përkthyer vetëm një pjesë e tij, me gjithë angazhimin e të gjithë përkthyesve të gjuhës angleze në Prokurorinë e Përgjithshme. Nga një vëzhgim paraprak i raportit, grupi hetimor ka arritur të evidentojë të paktën tri pista që hedhin amerikanët si shkakun për shpërthimit që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit. Në të tria pistat ekspertët që punuan për të paktën 10 ditë në terren kanë përcaktuar si shkakun e shpërthimit karrocat me të cilat kryhej transporti i barutit nga reparti i demontimit drejt kontejnerëve. Sipas raportit të ekspertëve të ATF-së, rezulton se varianti i parë i shpërthimit ka qenë saldimi i një karroce, pas urdhrit për transportin e menjëhershëm të barutit drejt ambienteve të brendshme të depos, për shkak të kushteve atmosferike. Në një situatë të tillë, njëri prej punëtorëve ka salduar karrocën, ku më pas ka hedhur barutin, i cili ka sjellë edhe zjarrin fillestar. Varianti i dytë i servirur nga ekspertët është mundësia e përplasjes së dy karrocave me njëra-tjetrën në punë e sipër, për transportin e barutit. Dhe varianti i tretë është krijimi i ndonjë shkëndije të mundshme nga rrota e njërës prej karrocave, gjatë transporti të barutit. Të tre këta versione, ekspertët e ATF-së i kanë mbështetur në të dhënat e mbledhura në terren, duke filluar nga dëshmitë e personave të mbijetuar nga shpërthimi e deri te kampionet e mbledhura në vendngjarje, kryesisht në kraterin e shpërthimit. Gjithashtu, mësohet se në raportin që është ende në proces përkthimi, është bërë një paraqitje e saktë dhe e detajuar e gjithë situatës dhe proceseve të punës që kryheshin në punishten e Gërdecit.