Zhdukja e Jani Prengës, SPAK dorëzon prova të reja në Apelin e GJKKO

Zbardhja e zhdukjes së Jani Prengës më 17 janar 2020, nga Kamza në kompleksin “Golden” të Altin Hajrit në Shijak ka marrë një tjetër drejtim. Teksa në apelin e GJKKO zhvillohej seanca për të vetmin të dënuar deri më tani, kopshtarin e kompleksit Festim Bexhdili, prokurorja e SPAK, Elida Kaçkini, depozitoi prova të reja të siguruara përmes letërporosive nga autoritetet franceze.
Provat e reja përfshijnë komunikime në aplikacionin SKY ECC mes të pandehurve kryesorë, përfshirë Dritan Rexhepin, Altin Hajrin dhe Gentjan Funiqin. Sipas prokurorisë, këto komunikime janë të lidhura drejtpërdrejt me rrëmbimin dhe vdekjen e Jani Prengës dhe janë marrë në përputhje me procedurat ligjore ndërkombëtare.
Avokati i të pandehurit, Ilir Murati, kundërshtoi kërkesën për provat e reja duke theksuar se, sipas tij, ato nuk duhet të pranohen në këtë fazë të procesit. Ai kërkoi gjithashtu që prokuroria të bëjë të ditur nëse do të ketë prova të tjera në seancën e ardhshme dhe njohjen me provat e reja të paraqitura nga SPAK. Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për t’u njohur me aktet e reja dhe caktoi seancën e radhës më 13 maj në orën 09:00.
Festim Bexhdili kopshtari i kompleksit u dënua pasi nuk tregoi vendin ku është dërguar trupi i Jani Prengës.
Jani Prenga u rrëmbye dhe u zhduk si akt hakmarrjeje për vjedhjen e mbi 200 kg kokainë në portin e Portsmouth Londër, vjedhje e kryer nga vëllai i tij dhe që i përkiste Dritan Rexhepit që drejtonte grupin nga burgu në Ekuador.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/