E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e Renato Hoxhajt në Vlorë – Autori dyshohet se është shtetas i huaj, dalin pamjet pak para krimit

Autori i vrasjes së Renato Hoxhajt pak ditë më parë në Vlorë duket se e ka planifikuar mënyrën si do t’i ofrohej objektivit, që kamerat e sigurisë të mos e zbulonin lehtësisht identitetin e tij.

Ai është kujdesur të mbulojë tërësisht fytyrën e tij, duke vendosur një maskë të zezë kirurgjikale, si dhe kapele në kokë. Madje dyshohet se ka shkuar më tej duke modifikuar përmasat trupore, për t’u dukur më i shëndoshë.

Grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e vrasjes, dyshon se ekzekutori është një shtetas i huaj, i cili mund të jetë ndihmuar në lëvizjen e tij nga një shtetas shqiptar me banim në Tiranë, për t’u larguar pas krimit përmes pikës së Qafë-Botës drejt Greqisë.

Nga hetimet e deritanishme, burime jozyrtare bëjnë me dije se dyshohet që viktima të ketë qenë i përfshirë në ngjarje kriminale, ndonëse pak ditë më parë bashkëjetuesja e autorit, në dëshminë e saj, e mohoi që 58-vjeçari të kishte konflikte.

Renato Hoxhaj, i cili punonte si rojë në një objekt në ndërtim, u gjet i vrarë nga katër plumba pak metra larg banesës së tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›