Zhgënjim “në dashurinë” Ferrari- Leclerc

Ai e ka ëndërruar makinën e kuqe që në fëmijëri dhe e ka të stampuar në zemër stemën e saj. Por edhe dashuria më e fortë njeh zhgënjime dhe kjo është ajo që po ndodh në marrëdhënien mes Charles Leclerc dhe Ferrarit. Askush nuk do ta priste një fillim kaq të vështirë të vitit 2023 për skuadrën e Maranelos. As vetë piloti nga Monako, i cili shpresonte të ishte në gjendje të luftonte për Kampionatin Botëror kundër Max Verstappen dhe Red Bull-it të tij, një ide që u luajt edhe në pjesën e parë të sezonit të kaluar por që më pas u zbeh shpejt. Bilanci deri tani është i qartë: dy dalje nga gara dhe një vend i shtatë në 3 Çmimet e Mëdha, e vetëm 6 pikë në renditje, një fillim makthi. Tani është gara e së dielës në Baku për të kthyer faqen. Leclercut i kërkohet të rrëzojë një tabu, duke qenë se ai nuk ka qenë kurrë në podium në Azerbajxhan, pavarësisht se ishte qarku që i dha pikët e para në F1 me Sauber – Alfa Romeon në debutimin e tij në 2018. Ndërsa Ferrari, ende pa rezultate që kur drejtori i ri i ekipit Fred Vasseur është në krye, ka absolutisht nevojë për një podium për të marrë frymë. Duhet pak oksigjen. Por Helmut Marko, super konsulenti i Red Bullit, ka zbuluar disa detaje të kontratës së Leclerc, të lidhur me skuadrën e kuqe deri në fund të vitit 2024, sipas të cilave piloti mund të largohet më herët nëse nuk i plotëson këto kushte. Dhe një prej tyre është se, nëse piloti nuk arrin të marrë një numër të caktuar pikësh në kampionat deri në gusht, atëherë marrëveshje mund të zgjidhet. “Ky mekanizëm e lejoi Sebastian Vettel-in të shkonte te Ferrari në 2015-ën”, kujton Marko. Realisht, menaxheri austriak nuk tregon asgjë të re. Në çdo marrëveshje mes pilotëve dhe ekipeve të F1 ka kushte për zgjidhjen marrëveshjeve midis dy palëve, të vendosura që në momentin e nënshkrimit. Natyrisht që ato janë edhe në kontratën mes Leclerc dhe skuadrës së Maranellos. E Leclerc mund të largohet në shtator, nëse nuk ka marrë një numër të caktuar pikësh, por edhe nëse Ferrari nuk do të jetë në katër skuadrat e para në renditjen e konstruktorëve. E nëse ndodh kjo, alternativa e vetme reale është Mercedesi, nga i cili Leclerc ka marrë tashmë një ofertë të rëndësishme, por transferimi mund të bëhet vetëm nëse Lewis Hamilton vendos të tërhiqet ose të kalojë te Ferrari. Ky do të ishte një tërmet që do të shkaktonte një reaksionin zinxhir. Negociatat për rinovimin e kontratës që përfundon në 2024, nuk kanë nisur, por aktualisht Leclerc nuk do të synonte të zgjaste marrëveshjen me Ferrarin përtej vitit 2024, ndaj e ardhmja e tij duket gjithsesi larg Maranellos. Për të ndryshuar një fat që duket i vulosur, një ndryshim në performancën e makinës do të duhej të ndryshonte mendjen e pilotit nga Monako. Nga Imola e në vazhdim, kur të mbërrijnë zhvillimet më të rëndësishme, ndoshta do të kuptojmë se cili do të jetë fati i këtij sezoni dhe i bashkëpunimit midis Leclerc dhe skuadrës së kuqe.