Rumania e Sllovakia, kundërshtarët e Shqipërisë

Shqipëria e basketbollit të meshkujve, që drejtohet nga Afrim Bilali, ka mësuar të martën në mesditë kundërshtarët e parakualifikueseve të Kampionatit Europian 2025. Pas tërheqjes së shortit në Mynih, Shqipëria është në grup me Rumaninë dhe Sllovakinë. Kuqezinjtë ishin në vazon e tretë së bashku me Kosovën, Norvegjinë dhe Irlandën, ndërsa tashmë janë formuar katër grupe me nga tre skuadra. Ndeshjet do të zhvillohen në periudhën 19 korrik – 5 gusht, ndërsa kuqezinjtë do të kenë dy ndeshje në shtëpi dhe dy ndeshje në transfertë.
Me Rumaninë, atje ku janë mundur 84-101 dhe 62-76, ishin në grup edhe në raundin e mëparshëm. Ndërkohë me Sllovakinë kanë luajtur për herë të fundit më 17 shtator 2016 në kualifikueset e Europianit, teksa kanë fituar 72-65. Asokohe kuqezinjtë drejtoheshin nga qiprioti Kostandinis. Madje në të njëjtin grup me Sllovakinë në transfertë janë mundur 69-60. Në raundin e kaluar në grup kuqezinjtë kishin dhe Luksemburgun me të cilin fituan 92-89, si dhe u mundën 75-86.
Rumania dhe Sllovakia janë kundërshtarët e kuqezinjve, të cilët, në kulmin e stinës së verës, do të duhen të tregojnë vlerat e tyre më të mira në parket.