E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: 70 fëmijë në një klasë, Saranda e nis vitin me kaos në kopshte e çerdhe

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u ndal sot tek situata në çerdhet dhe kopshtet e Sarandës në nisje të vitit të ri shkollor.

Gjatë një deklarate për mediat nga qyteti bregdetar, Zhupa tha se mungesa e organizimit dhe punimet në disa institucione arsimore kanë sjellë mbipopullim të klasave dhe vështirësi për fëmijët dhe prindërit.

Zhupa u ndal te “Kopshti nr. 1”, ku, sipas saj, për shkak të punimeve në çerdhen e qytetit, fëmijët e çerdhes janë sistemuar në të njëjtën godinë me kopshtin. Sipas deputetes së PD-së, kjo ka bërë që klasat e planifikuara për kopshtin të përdoren edhe për fëmijët e çerdhes.

“Brenda të njëjtave klasa që ka kopshti janë bërë me 70 nxënës për klasë dhe kjo e bën të pamundur një proces normal, edukativ, mësimdhënës për mirërritjen e fëmijëve, për zhvillimin e tyre psikologjik dhe social sepse fëmijët nuk janë sardele që ti mund t’i sistemosh në një kuti”, tha ajo.

Sipas saj një situatë e ngjashme është krijuar edhe në institucione të tjera parashkollore të Sarandës.

Zhupa tha se kopshti “Soros” është në rikonstruksion dhe fëmijët janë transferuar në Kopshtin nr. 5, ku, klasat janë bashkuar dhe numri i fëmijëve ka arritur në rreth 70 për klasë.

“E njëjta gjë ndodh dhe me dy kopshtet e tjera. Është në rikonstruksion kopshti “Soros” dhe fëmijët e kopshtit “Soros” kanë shkuar në Kopshtin nr. 5 dhe atje fëmijët janë bashkuar në klasa të përbashkëta duke kapur rreth 70 fëmijë në një klasë”, tha ajo.

Deputetja e PD-së e cilësoi situatën si “kaotike” dhe sipas saj bashkia Sarandë nuk i ka menaxhuar si duhet punimet dhe organizimin e institucioneve parashkollore.

Zhupa u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë për t’i kërkuar Bashkisë së Sarandës përmbushjen e detyrimeve të saj, ndërsa kërkoi edhe përfundimin sa më të shpejtë të punimeve nga kontraktorët.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›