E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhupa: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit duhet të ketë status të veçantë kombëtar

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, zhvilloi sot një vizitë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Zhupa kërkoi më shumë vëmendje institucionale dhe mbështetje konkrete për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, duke e cilësuar atë si një institucion me rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Deputetja vlerësoi gjithashtu punën për marrjen dhe restaurimin e koleksioneve individuale, duke përmendur rastin e arkivit të Guri Kotit, që sipas saj pasuron më tej kujtesën tonë kombëtare.

Zhupa theksoi se institucioni ka nevojë urgjente për ndërhyrje nga qeveria. Ajo kërkoi që Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit të ketë një status të veçantë kombëtar, ndërsa materialet arkivore filmike dhe folklorike të mbrohen si pasuri kombëtare dhe të synohet përfshirja e tyre në programet ndërkombëtare të mbrojtjes, përfshirë UNESCO-n.

“Megjithatë, ky institucion ka nevojë urgjente për një vëmendje tjetër nga qeverisja dhe për disa ndërhyrje themelore: Arkivi duhet të ketë një status të veçantë kombëtar. Materialet arkivore filmike dhe folklorike duhen mbrojtur si pasuri kombëtare dhe të synohet përfshirja e tyre në mbrojtje ndërkombëtare, përfshirë edhe programet e UNESCO”, tha Zhupa.

Gjithashtu shtoi Zhupa, “punonjësve të arkivit duhet t’u rikthehet pagesa për vështirësi në punë, e cila u është dhënë dhe më pas u është hequr padrejtësisht. Ata punojnë çdo ditë në ambiente me pluhur të dëmshëm, me materiale të vjetra filmike dhe substanca kimike që lidhen me restaurimin dhe ruajtjen e filmave. Është e papranueshme që sot, përveç heqjes së kësaj të drejte, u kërkohet edhe kthimi mbrapsht i pagesave të marra”.

Zhupa theksoi se Shqipëria ka nevojë që arkivi të kthehet edhe në një qendër kombëtare të restaurimit të filmit, që restaurimi të bëhet brenda vendit.

“Kjo kërkon investim në kapacitete njerëzore dhe teknologjike, por do ta kthente Shqipërinë në një pol rajonal për restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë filmike. Fondi arkivor duhet të administrohet nga vetë arkivi, duke i dhënë institucionit më shumë autonomi dhe mundësi reale për të mbrojtur e zhvilluar këtë pasuri kombëtare. Ruajtja e kujtesës filmike është detyrim ndaj historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar”, theksoi ajo.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›