E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi “Skënderbej” bëhet arenë e padelit botëror, nesër nis turneu prestigjioz

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Kryeqyteti shqiptar është gati të presë një nga eventet më të mëdha të padelit në nivel ndërkombëtar, FIP Platinum Padel, i cili do të zhvillohet nga data 26 deri më 30 maj në Sheshin “Skënderbej”.

ATSH sjell pamje nga përgatitjet e fundit në sheshin kryesor të kryeqytetit, ku kanë përfunduar vendosja e impianteve dhe tashmë sportistët garues po njihen me terrenin e përgatitur për ketë turne prestigjoz, i cili do të sjellë në Shqipëri lojtarët më të mirë të padelit në botë dhe një atmosferë të vërtetë spektakli sportiv.

Sheshi “Skënderbej” është transformuar plotësisht në një arenë moderne sportive, ku është ngritur infrastruktura teknike dhe fusha e garës, duke krijuar kushtet për zhvillimin e një kompeticioni të nivelit të lartë ndërkombëtar.

Organizatorët bëjnë me dije se përgatitjet logjistike dhe teknike kanë përfunduar dhe gjithçka është gati për startin e ndeshjeve.

FIP Platinum, niveli më i lartë i CUPRA FIP Tour, konsiderohet një nga turnetë më prestigjioze të padelit në botë, me pjesëmarrjen e sportistëve elitarë dhe një fond çmimesh që varion nga 120 mijë deri në 150 mijë euro, si dhe 300 pikë për renditjen botërore për fituesit.

Ky event zhvillohet nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Federatës Ndërkombëtare të Padelit, dhe Federatës Shqiptare të Padelit, duke e kthyer Tiranën në një qendër të rëndësishme të sportit ndërkombëtar për këto ditë.

Garat do të nisin prej orës 10:00 të mëngjesit deri në mbrëmje, teksa finalet pritet të luhen vetëm në mbrëmje, prej orës 18:30.

Hyrja për publikun do të jetë e lirë, duke ofruar mundësinë që qytetarët dhe vizitorët të ndjekin nga afër ndeshjet dhe atmosferën e një gare të nivelit të lartë.

Rikthimi i këtij eventi në Tiranë pritet të sjellë sportistë dhe adhurues të padelit nga vende të ndryshme të botës, duke forcuar imazhin e kryeqytetit si mikpritës i aktiviteteve madhore sportive ndërkombëtare.

Padel në Tiranë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 9

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›