E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zhupa ofendon Erion Braçen, mazhoranca braktis interpelancën për vrasjen e 14-vjeçarit

Mazhoranca ka braktisur seancën plenare në shenjë proteste pas ofendimeve që deputetja demokrate Ina Zhupa i bëri kolegut socialist Erion Braçe gjatë zhvillimit të interpelancës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.

Replikat mes dy ligjvënësve nisën që në fillim të seancës, kur deputetja demokrate akuzoi se Komisioni i Posaçëm kundër Dezinformimit, të cilin e kryeson z. Braçe, do të përdoret për të goditur opozitën gjatë fushatës elektorale me pretekstin e ndaljes së propagandës ruso-kineze.

Duke u ndalur te vrasja e 14-vjeçarit, ajo shtoi gjithashtu se vetë kryetari i Komisionit ka kërkuar të çojë gazetarët dhe mediet për ndjekje penale për mënyrën si e kanë raportuar ngjarjen përballë “komunikatave të rreme të Policisë së Shtetit”.

“Nuk kam kërkuar të hetohet media apo ndonjë gazetar. Kam thënë të hetohet deri në fund krimi dhe të mbahen përgjegjës të gjithë autorët, pas një hetimi gjithëpërfshirës dhe në krahun tjetër kam kërkuar në çdo moment që autoritetet të hetojnë dezinformimin dhe kam thënë dezinformimin, që ka një qëllim shumë të qartë dhe të pastër politik. Ti je njëra që duhet të hetohesh për dezinformim dhe mbi të gjitha që dezinformon hapur në Kuvendin e Shqipërisë. Ti më dukesh si ruse, por nuk je ruse,” reagoi z. Braçe.

Seanca vijoi normalisht deri kur erdhi koha e interpelancës me ministren Manastirliu. Diskutimi për këtë pikë zgjati pak minuta, pasi znj. Zhupa iu përgjigj socialistit me fjalë fyese.  

“Nuk e di kush ta jep të drejtën që të më quash ruse, se unë nuk ia jap të drejtën vetes të të quaj kone, edhe pse kështu të quajnë të gjithë,” tha Zhupa.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i kërkoi deputetes të kërkojë falje. Edhe shumica vendosi të reagojë.

“Dilni përjashta të gjithë,” deklaroi znj. Zhupa, teksa kolegët e mazhorancës largoheshin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›