E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhverësimi i Lekut, vendi në panik

Lëvizje kaotike në tregun e shkëmbimit të valutës, euro arrin rekordin 142.5 lekë. Nis rritja e çmimeve. Ja shkaqet e krizës


TIRANË- Leku shqiptar është zhvlerësuar në mënyrë tronditëse dje duke humbur brenda pak orëve gjashtë pikë kundrejt euros. Zhvlerësimi ka nisur gjatë orëve të paradites dhe në drekë ka bërë që euro të arrijë rekordin e 142.5 lekëve. Kjo ka sjellë një situatë kaotike tek qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë ndjerë thuajse menjëherë lëvizjen e paprecedentë në treg. Të gjithë kambistët dhe agjencitë e këmbimit ishin dakord në një pikë: Gjithçka ka nisur nga deklaratat e kryeministri Berisha mbi "euroizmin e ekonomisë" dhe janë përkeqësuar nga deklaratat e ministrit Bode se kjo gjë nuk do të ndodhë.


Zhvlerësimi

Në orët e paradites së djeshme një euro vlerësohej me 136 lekë por menjëherë është vënë re një tendencë për rritje. Rreth orës 11.00 euro ka arritur në shumën e 137 lekëve dhe në këtë kohë ka nisur fjalën e tij ministri i Financave Ritvan Bode si dhe ka nisur diskutimi i buxhetit. Fjala që duhet të zbuste deklaratën e kryeministrit Berisha, ka sjellë tjetër efekt në treg. Menjëherë euro ka kërcyer në kuotën e 138.6. rritja prej më shumë se 1.5 pikësh ka ndodhur vetëm brenda një ore. Në këtë moment në shumë pika të shkëmbimit të parave dhe banka të nivelit të dytë është ndjerë frika. Operatorët ngurronin të kryenin veprime dhe herë pas herë lidheshin me qendrën. Ndërkohë që qytetarë të shumë nisën të kryenin veprime me euro. Në orën 15.30, pak minuta përpara mbylljes së bankave, euro arriti në shifrën rekord të 142.5 lekëve. Duke marrë parasysh luhatjet e shumta, bankat e blejnë këtë monedhë me një diferencë të madhe, pothuajse më pak se një lek. Me këtë shifër rekord janë mbyllur pasditen e djeshme bankat e nivelit të dytë. Ndërkohë Banka e Shqipërisë ka publikuar një tjetër shifër duke thënë se një euro blihet me 137.83 lekë.


Shkaqet

Zhvlerësimi i lekut kundrejt euros në mënyrë marramendëse brenda një dite ka ardhur për një sërë shkaqesh të akumuluara. Sipas ekspertëve, mungesa e besimit tek politika, (një faktor që ndikon në të gjitha tregjet ndërkombëtare) ka nisur të ndihet rëndshëm në Tiranë, sidmos pas rrethanave të fundit politike. Ky besim është pothuajse pranë zeros. Kësaj i shtohen edhe deklaratat aventureske të kryeministrit se do bëjë euron monedhë kombëtare, mohimi i krizës për muaj me radhë, rënia drastike e parave që dërgojnë emigrantët etj.

Kur flitet për "vënie të shtetit në shërbim të X partie" në fakt nuk flasim vetëm për "stardarde demokracie". Para së gjithash, dhe mbi të gjitha, veprime të tilla, shoqërohen me pasoja ekonomike. Shpenzimet e mëdha në fushatën e zgjedhjeve të këtij viti dhe boshatisja e arkës së shtetit kanë ndikuar jo pak në situatën e përkeqësuar të tregut. Një tjetër shkak i rënies është mungesa e politikave për prodhim vendas. Prodhimi i ulët i ekonomisë shqiptare, shkakton importimin e gjithçkaje, përfshirë ushqimin, duke përdorur euro. Gjatë tre muajve të verës shumë biznese kishin ulur ritmin e punës dhe në shtator nisën blerjet e shumta duke përdorur euro. Në këtë situatë tregu shqiptar është shumë i prekshëm nga çdo lëvizje që ndodh jashtë dhe menjëherë ndihet kriza në vend.

Të prekurit


Të parët që e kanë ndierë krizën janë qytetarët dhe biznesmenët që kishin për të paguar kreditë e tyre në euro. Ata kanë nisur të kryejnë shkëmbimet e parave dhe kanë konstatuar se kreditë e tyre rriteshin në vlera të konsiderueshme, sipas nivelit të këstit. Ndërkohë edhe mallrat e konsumit kanë ndierë rritje të menjëhershme. Kjo është reflektuar fillimisht tek duhani dhe pritet që në ditët në vazhdim të ndihet tek karburantet. Duke qenë se Shqipëria importon pjesën më të madhe të mallrave, deri tek ushqimet, situata pritet që të bëhet edhe më e rëndë gjatë ditëve në vazhdim. E. Janina


Fullani: Monedha e shqiptarëve do jetë leku



Në një situatë kur monedha vendase është në një nga momentet më të vështira kundrejt valutave dhe kryesisht ndaj euros, duke u zhvlerësuar ndjeshëm vetëm brenda dy ditëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, thekson se nuk ka vend për panik dhe se orientimi tek leku do të ishte zgjidhja më e mirë për momentin. "Çdo lëvizje e qetë drejt ekuilibrit e kursit të këmbimit do të jetë në interes të ekonomisë shqiptare. Të gjithë reagimet e nxituara afatshkurtra, siç është demonstruar disa herë gjatë këtij viti dhe më së afërti gjatë ditëve të para të kësaj jave, kanë kosto financiare individuale për ata që i ndërmarrin dhe kosto financiare për ekonominë", - theksoi ai.


Guvernatori konfirmoi qëndrimin e pandryshueshëm dhe zyrtar të Bankës së Shqipërisë se leku do të vazhdojë të jetë monedha zyrtare e Shqipërisë, duke hedhur poshtë deklaratat politika lidhur me adaptimin e Euros si monedhe zyrtare në vendin tonë. "Leku për Shqipërinë ka qenë është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Është monedha që shërben si spirancë për të gjithë iniciativat tona evropiane. Në një horizont afatgjatë, kursi i këmbimit do të reflektojë detyrimisht bazat dhe fondamentet e ekonomisë sonë, të cilat janë dhe mbeten të shëndetshme. Ekuilibrat e arritur gjatë viteve të shkuara mbeten tregues realë të potencialit të ekonomisë sonë", - tha ai.
Në lidhje me situatën e krijuar së fundmi Guvernatori Fullani i bëri thirrje agjenteve ekonomikë të mos bëjnë presion ndaj monedhës vendase duke shkaktuar zhvlerësim të mëtejshëm të saj. "I ftoj të gjithë agjentët ekonomikë të gjykojnë me ftohtësi mbi përfitimet e monedhës kombëtare, si instrumenti më i mirë afatgjatë për ruajtjen e kursimeve të tyre dhe si zbutësi më i madh i luhatjes së pasurisë", - tha ai duke shtuar se në 17 vitet e fundit monedha vendase ka ditur t'i bëjë ballë presioneve inflacioniste dhe presioneve të tregjeve të huaja. "Leku duhet lënë i qetë. Ai duhet të lëvizë i lirshëm në udhën e tij në përputhje me kërkesën dhe ofertën. Leku është ikona e ekonomisë shqiptare e cila do të na shoqërojë deri në portat Evropiane", - theksoi Fullani.


Deklaratat e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë vijnë në një kohë kur monedha e vendase ka njohur një zhvlerësim të vrullshëm ndaj euros. Eskpertë të ndryshëm radhisin një serë shkaqesh përfshi edhe deklaratën e disa ditëve më parë të kryeministrit Sali Berisha se ekonomia e vendit nuk mund t'i rezistojë presionit të euros dhe se duhen filluar përgatitjet për adoptimin e saj si monedhë kombëtare. Gjithashtu, një arsye tjetër e mundshme e këtij zhvlerësimi mendohet të jetë ndërhyrja e një kompanie të madhe që operon në vend e cila për nevojat e saj ka blerë sasi të konsiderueshme euroje duke rritur çmimin e saj në treg.

Kotorri për deklaratën e Berishës: Jemi në një vend që deklarata të tilla japin efekt

TIRANË- Pedagogu i fakultetit ekonomik dhe eksperti i ekonomisë, Adriatik Kotorri, shpjegon zhvlerësimin e lekut dhe pasojat që do të ketë ai në ekonominë e vendit. Sipas tij, deklarata e Berishës se do bëjë euron monedhë kombëtare ndikon në një vend të tillë si Shqipëria.


Brenda dy ditësh, jemi duke u përballur me një zhvlerësim të madh të lekut, si e shpjegoni këtë dukuri?

Zhvlerësimi i beftë i lekut lidhet me një serë shkaqesh. Vazhdimisht në vitet e shkuara gjatë kësaj periudhe është shënuar një kulm i zhvlerësimit te lekut kundrejt valutave të huaja, sigurisht jo me këtë intensitet. Në fakt si zakonisht gjatë muajve Korrik-Gusht pritej një forcim i lekut çka nuk ndodhi, fakt ky që na paralajmëroi për atë që po ndodh tashmë. Duhet pasur parasysh që ne jemi treg i vogël dhe këto zhvillime mund të ndodhin edhe për efekt të ndonjë ndërhyrjeje të ndonjë agjenti tregtar duke blerë sasi të madhe euroje për nevojat e tij duke shkaktuar një gjendje të tillë.Flitet se një kompani e madhe që operon në vend e ka bërë këtë por ende nuk ka fakte konkrete të saj.


Pra ju mendoni që kjo situatë është pasojë e një ndërhyrjeje spekulative në treg?

Mendoj se një rënie me intensitet kaq të lartë nuk mund të shpjegohet ndryshe veç se me ndërhyrjen në treg të një dore të vetme, pasi nuk mund të ndodhë që të gjithë në të njëjtën kohë të ngrihen dhe të blejnë euro.


Po për sa i përket deklaratave të Kryeministrit Berisha se ekonomitë e vendeve të rajonit janë nën presionin e euros dhe duhet të përgatitemi që ta bëjmë atë monedhë kombëtare. A ka ndikuar kjo në zhvlerësimin e lekut?

Ne jemi në një vend që deklarata të tilla japin efekt. Njerëzit mund të tremben lehtë. Por ajo deklaratë nuk kishte të bënte për një veprim të menjëhershëm ose një nismë që pritet të ndërmerret së shpejti. Pastaj ne nuk kemi një sistem aq të zhvilluar financiar që të mjaftojë një deklaratë për të sjellë ndikime të tilla. Më shumë se ajo unë mendoj se janë arsyet e mësipërme që kanë shkaktuar këtë situatë. Kësaj i shtojmë edhe efektet e krizës ekonomike që ashtu si ne po kalojnë edhe vende të tjera të rajonit. E. Senja


Hoxha: Shkaqet e zhvlerësimit të lekut

Eksperti i ekonomisë, Artan Hoxha, komenton rënien e lekut në krahasim me euron si dhe shkaqet që kanë sjellë këtë gjë. Si shkaqet kryesore ai rendit uljen e dërgesave të emigrantëve por edhe rënien e importeve ose spekulimet e kompanive në treg. Sipas Hoxhës, shqiptarët që kanë marrë kredi në euro kanë bërë gabim pasi nëse paga tyre është në lekë edhe kredia duhet të merret në këtë monedhë.


Prej dy ditësh po ndodh një zhvlerësim i monedhës vendase ndaj asaj evropiane, si e shpjegoni këtë?

Një rritje e euros ishte më se e logjikshme gjatë këtij viti për shkak edhe të zhvillimeve ndërkombëtare. Që nga dhjetori i vitit të kaluar kemi thënë vazhdimisht se presim një rënie të dërgesave të emigranteve, eksporteve dhe se kjo do të ushtronte një presion mbi monedhën shqiptare. Po ashtu kishim thënë se nga kjo situatë do të kishim një rënie të importeve. Në fakt këtë vit kemi pasur një rënie me minus një për qind të importeve. Normalisht ato janë rritur çdo vit me 10-15 për qind. Situata ekonomike e vendit duke marrë parasysh rënien e dërgesave dhe eksporteve të cilat pjesërisht janë kompensuar nga investimet e huaja dhe kredia 250 milionë euro që u mor në muajt e kaluar.


Pra sipas jush kanë qenë investimet e huaja dhe kredia 250 milionë euro që e kanë shtyrë në kohë në një farë mënyrë këtë situatë?

Jo thjeshte shtyrje kohe por edhe e ka ulur intensitetin. Në qoftë se nuk do kishim pasur investimet e huaja dhe kredinë prej 250 milionë euro mendoj se euro sot do të ishte edhe më lart. Nëse marrim në konsideratë vazhdimësinë e kursit të këmbimit lek/euro, nga viti i kaluar euro rezulton të jetë zhvlerësuar rreth 17 lekë, ose rreth 14 për qind. Po ashtu nëse referuar edhe uljes së dërgesave të emigranteve dhe të eksporteve, pritej një zhvlerësim i tillë. Por vërehet se këtu nuk kanë ndikuar si një formë amortizimi paratë e futura nga investimet kapitale dhe nga kredia 250 milionë euro.


Pse mendoni se këto para nuk kanë ndikuar në zbutjen e zhvlerësimit të lekut?

Kam frikë se efekti zbutës i këtyre parave të futura në vend pra kredisë dhe investimeve ka rënë nga dy arsye. E para mund të jetë për shkak të një rritjeje të kërkesës sezonale për euro, sepse industritë do të fillojnë punën dhe duhet të gjejnë lënde të para, të cilat importohen duke rritur kërkesën për këtë monedhë. Ndërsa, e dyta mund të jetë fakti se një pjesë e agjenteve ekonomikë duan të shndërrojnë pasurinë e tyre në euro. Kjo e dyta më duket varianti më i paditur. Nëse bëhet nga individë të ndryshëm kjo është nxitim i tepruar pasi nuk ka arsye që të blesh shumë euro nëse nuk e ke të nevojshme. E theksoj këtë, çdo individ nëse nuk ka nevojë për euro nuk ka se përse të blejë këtë monedhë apo ta konvertojë pasurinë e tij nga lekë në euro. Nëse bëhet nga ndonjë agjent i madh ekonomik në vend, ndodh se ai mund të kërkojë të importojë makineri ose mallra nga jashtë, ku pagesa bëhet me euro.


Po për sa i përket deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha se ekonomitë e vendeve të rajonit nuk mund t'i bëjnë dot ballë presionit të euros dhe se duhet të përgatitemi që ta bëjmë atë monedhë kombëtare. Mendoni se ka qenë ky shkaku kryesor i këtij zhvlerësimi të vrullshëm gjatë këtyre ditëve?


Ajo ishte një deklaratë seminari. Nuk ishte se Kryeministri doli në një deklaratë qeveritare, pas një analizë dhe të një vlerësimi të situatës. Ka një gjë të ditur që ekonomitë tona të vendeve të rajonit kundrejt euros natyrisht që do të jenë në presion të vazhdueshëm. Dihet që një ditë do të hyjmë në zonën euro. Nuk mund të them se çfarë ndikimi mund të ketë pasur kjo deklaratë në publik. Më shumë se kjo, nëse bëjmë një krahasim të kurbave të zhvlerësimit, vërejmë se për të njëjtat periudha midis vitit të shkuar dhe këtij ka një ecuri të ngjashme. Ndryshimi më i madh ka ndodhur gjatë kësaj jave çka më bën mua të mendoj se mund të jetë për shkak të ndonjë spekullimi në treg nga ndonjë kompani e madhe që ka pasur nevojë për sasi të mëdha euroje.


Cili është ndikimi i këtij zhvlerësimi për kreditë që janë marrë në euro?

Nuk mendoj se do të ketë një zhvlerësim të mëtejshëm. Për sa i përket kredive në euro, konsumatorët duhet të tregohen më të kujdesshëm. Kjo duhet të shërbeje si mësim për herë tjetër që ata të cilët i kanë të ardhurat në lekë nuk kanë se përse të marrin kredi në euro. Por, nuk duhet të biem viktima të panikut. Emirjon Senja

Bode kundër Berishës: Nuk është koha për Euro

Ministri i Financave, Ridvan Bode, del në mbrojtje të lekut pas deklaratave të një jave më parë të Kryeministrit se leku po përballet me presione të mëdha nga euro dhe se duhet parë mundësia e përdorimit të saj si monedhë zyrtare të Shqipërisë. Në fjalën e tij gjatë diskutimeve për miratimin e ndryshimeve në buxhetin e këtij viti, Bode u bëri thirrje konsumatorëve që të kenë besim tek leku dhe theksoi se ai është i qëndrueshëm. "Unë i ftoj të gjithë shqiptarët të besojnë te leku sepse është monedha jonë dhe është monedhë e qëndrueshme U bë një kohë më shumë se 10 vjet që dëshmon stabilitet, qëndrueshmëri në kohë qoftë në raport me kursin e këmbimit të euros dhe dollarit, dhe e dini që është mbivlerësuar dhe në raport me dollarin, dhe për një kohë dhe në raport me euron"- deklaroi Bode.


Për sa i përket adoptimit të euros si monedhe të vendit Bode tha se ky është një proces i gjatë dhe se do të ndodhë kur Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. "Procesi i adaptimit të euros është i gjatë dhe ka të bëjë me përpjekjet që bën Shqipëria e vendet e tjera për tu integruar në BE. Sigurisht kur të jemi pjesë e Europës do të marrim dhe monedhë europiane. Tashmë ne jemi vend aspirant, por procesi i i zëvendësimit me euro të lekut do të jetë shumë i gjatë", - tha Bode.


Ndryshimet në buxhetin e vitit 2009 të cilat u miratuan në parim në seancën e sotme plenare parashikojnë rishpërndarje fondesh dhe çuarjen e tyre drejt projekteve me një ecuri më të mirë. Pas ndryshimeve të bëra, të ardhurat buxhetore nga rreth 334.8 miliardë lekë që ishin planifikuar gjatë miratimit të këtij buxheti në nëntor të vitit të kaluar janë ulur në shifrat e 327 miliardë lekëve. Ndryshime më të mëdha kanë hasur shpenzimet të cilat megjithëse ishin parashikuar në shifrat e 384.8 miliardë lekëve, në kushtet e një viti elektoral kanë pësuar një rritje të konsiderueshme duke arritur në 402 miliardë. Ulja e të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të deficitit i cili parashikohet të kapë shifrat e 74 miliardë lekëve, nga 50 miliardë lekë që ishte planifikuar.

Ecuria e Kursit të Këmbimit Euro/Lek

24.09 137.83

23.09 136.21

22.09 134.31

17.09 133.65

15.09 133.59

Burimi: Banka e Shqipërisë



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›