Një shqiptar i Kosovës akuzohet nga FBI për terrorizëm
Një shqiptar, rezident në Nju Jork akuzohet për terrorizëm. Zyrtarët bënë publike padinë ndaj Betim Kaziut, që akuzohet për konspiracion, për vrasje në një vend të huaj dhe për paisje me materiale mbështetëse për terroristët.
Kaziu ka udhëtuar në Kajro të Egjiptit dhe është përpjekur të blejë armë. Sipas FBI-së, ky shtetas me origjinë nga Kosova ka shkuar në Pakistan për stërvitje ushtarake pranë grupit terrorist Al-Shabbab, me qëllim që të luftojë trupat amerikane jashtë vendit.
"Kaziu ka udhëtuar në Kajro në muajin shkurt dhe më vonë në Kosovë, ku është arrestuar nga autoritetet kosovare në muajin gusht të këtij viti", bën të ditur FBI.
FBI ka nisur një aksion për kapjen e personave të dyshuar si terroristë. Dje në Teksas, një jordanez 19 vjeçar u arrestua dhe u akuzua për tentativë për përdorim arme shkatërrimi në masë në qytetin e Dallasit. Zyrtarët thanë se Hosam Maher Husein Smadi u përpoq të vinte një bombë para një godine 60 katëshe me zyra. Sipas njoftimeve Smadi kishte deklaruar synimet e tij për luftë të shenjtë në Shtetet e Bashkuara.
Në Springfild të Ilinoit, agjentët federalë arrestuan një amerikan 29 vjeçar, Majkëll Finton, i njohur edhe si Talib Islam nën akuzat për tentative për vrasje të punonjësve federalë dhe për tentativë për përdorimin e një makine bombë në një gjykatë federale.
Të dyja arrestimet ishin rezultat i operacioneve të fshehta të FBI-së.