Zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë, Osmani pret shefin e EULEX

PRISHTINË, 15 tetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.
Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.
Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit.