Zhvillohet mbledhja e Grupit të Punës për përshpejtimin e reformave në shëndetsi
Të mërkurën në mesditë, u zhvillua mbledhja e grupit të punës për përshpejtimin e reformave në shëndetësi. Në këtë mbledhje, e cila drejtohej nga Kryeministri Berisha, u diskutua për nevojën e ndryshimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit shëndetësor në vend, në mënyrë që ky sistem t'i përgjigjet standarteve europiane dhe ti shërbejë sa më mirë qytetarit.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri u shpreh se nga të gjitha shërbimet publike që një shtet është i detyruar t'u ofrojë qytetarëve, shërbimi i parë dhe më i rëndësishmi është shërbimi shëndetësor. Kryeministri vlerësoi se "ky shërbim ka anët e tij pozitive, ka stafe të kualifikuara, mjekë realisht të shquar që janë të aftë të ofrojnë shërbim të standarteve më të mira, ka një personel me eksperiencë të gjatë dhe një shtrirje që mund të ketë nevojë për t'u rishqyrtuar. Por ky shërbim ka probleme madhore, të cilat pas kaq vitesh nuk kanë marrë ende përgjigjen që meritojnë. Sa më shumë kohë të kalojë pa trajtuar problemet e reformës së shëndetësisë, aq më të vështira për të mos thënë të pamundshme bëhen ato."
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se reforma në fushën e shëndetësisë mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe jetike për përmirësimin e standarteve të shëndetit publik. "Nëse ka një sektor me nevojë jetike për reformë është shëndetësia. Ejani ta ndryshojmë nëpërmjet reformave", u shpreh Kryeministri.
Duke siguruar se synimi i qeverisë shqiptare është konsolidimi i sektorit publik, Kryeministri shprehu besimin tek grupi i punës për reformën në shëndetësi. "Kjo reformë, - theksoi Kryeministri, - është jetike për vendin. Por kemi nevojë për konsulencë. Nuk ka shërbim më të madh që mund t'i bëjmë qytetarëve tanë sesa t'i ofrojmë një shërbim shëndetësor të ndryshuar. Qytetarët le të jenë dëshmitarë se ne nuk i ndajmë fjalët nga veprat."