Kryeministri Berisha merr pjesë ne "Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit"
Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit ose të quajtur ndryshe Dita Ndërkombëtare pa makina. Kryeministri Berisha shëtiti përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" deri në sheshin "Nënë Tereza", ku u takua me qytetarë të rastësishëm, nxënës shkollash, studentë, të cilët ishin dhe pjesëmarrësit kryesorë të këtyre aktiviteteve. Më pas Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli dhe anëtarë të tjerë të kabinetit përshëndetën të pranishmit, duke përcjellë në këtë ditë mesazhin për një Tiranë me të pastër dhe më të shëndetshme për të gjithë.
Ne fjalën drejtuar qytetarëve, Kryeministri Berisha, midis të tjerave u shpreh:
"Në këtë ditë të rëndësishme, që synon të rrisë vetëdijen qytetare për rëndësinë e mjedisit të pastër, si një kusht për zhvillimin e shëndetit, si një kusht për një jetë normale, dua tu siguroj se qeveria do të vazhdojë përpjekje të pandërprera që Tiranën dhe qytetet e tjera ti nxjerrë nga pluhuri, të ruajë me vendosmëri ndotjen dhe ndotësit e ajrit dhe ujrave, të punojë me përkushtim për të vendosur ato standarte, të treguesve mjedisorë që janë të denja për shëndetin e qytetarëve, jetën e tyre normale, njëlloj si për të gjithë qytetarët evropianë.
Kjo është një ditë simbol, është një ditë që fton gjithashtu të gjitha agjencitë qeveritare që në epiqendër të vëmendjes së tyre, të veprimtarive të tyre të kenë problemet e mjedisit. Fton të gjitha kompanitë e vendit dhe sipërmarrjet që të kujdesen në rradhë të parë për mjedisin. Fton të gjithë qytetarët të praktikojnë metodat më të shëndetshme dhe të kontribojnë në ruajtjen e mjedisit. I ftoj qytetartë shqiptarë të praktikojnë sa më shumë bicikletën duke i garantuar se është shpikja më e madhe që njeriu ka bërë për veten dhe shëndetin e tij. Gjithashtu e donsodoshme që në të gjitha rrugët e mëdha të parashikohen vendet për kalimin e ciklistëve njësoj si për këmbësorët e tjerë.
Edhe njëherë le të vazhdojmë përpjekjen për nje mjedis më të pastër, më të shëndetshëm. Le të zbatojmë së bashku një program që realizon këto objektiva."
Më pas duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Kryeministri tha:
Kjo është një ditë që fton të gjithë qytetarët se kujdesi për mjedisin është një kujdes për shëndetin dhe jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Mjedisi në Shqipëri përbën një problem madhor me të cilin qeveria po përballet me seriozitetin më të madh. Eshtë e dhimbshme kur sheh që kryeqyteti i vendit që duhet të jetë shembull mjedisor është i zhytur në pluhur njëlloj si Kabuli, për faktin e vetëm se projektet këtu janë identikë me vegjën e Penelopës, një ditë bëhen një ditë ç'bëhen. Kjo jo sepse firmat nuk janë serioze, sepse unë ju garantoj se kompanite janë shumë serioze dhe në shkallë të lartë ekspertize, por tani, modeli "punojmë dhe vjedhim" ka gjetur një formë të re, duke ua ndërruar projektin firmave për çdo javë.
Kyeministri theksoi se punimet në bulevardin kryesor të kryeqytetit kanë filluar qysh një vit më parë dhe përgjatë këtij viti nuk kanë mundur të ecin as deri tek godina e kryeministrisë.
"Por këtyre problemeve po u afron fundi,tha Kryeministri, sepse zgjedhjet do të japin zgjidhje për to, do të japin mundësi që Tirana të angazhohet me gjithë qeverisjen e saj vendore e qendrore në standarde të vërteta të mbrojtjes së ambjentit.
Ka një përmirësim të ndjeshëm në ndotësit që rrjedhin nga karburantet për shkak të disiplinimit shumë më të mirë në cilësinë e tyre. Do ketë projekte të tjera kontrolli mbi industrinë. Por problem madhor mbeten pluhurat e ndërtimit, të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme", u shpreh kryeministri.