Zhytet Pogradeci, Laçi merr fitoren e qetësisë
Dy fitore, që të dyja në transfertë (Laçi luan në fushë asnjanëse), u kanë dhënë qetësinë si Flamurtarit edhe Laçit. Te vlonjatët, dy gola në harkun e 24 minutave, së pari nga Pero Pejiç (14′) dhe më pas nga Gerhard Progni (24′), i garantuan një trepikësh të rëndësishëm skuadrës së Muçës, në fitoren 2-0 në Pogradec. Më në fund, Muça ka gjetur bomberin që i mungonte skuadrës, pasi kroati Pero Pejiç ka shënuar në gjashtë nga shtatë e ndeshjet e fundit, midis kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë. Për Pogradecin e Ylli Çekiçit, që luante për herë të parë në shtëpi, pas humbjes 2-1 me Teutën në “Gjorgji Kyçuku”, më 17 dhjetor 2011, kjo ishte humbja e katërt rresht, duke e komplikuar jo pak qëndrimin e liqenorëve në Superiore. Edhe në fazën e parë, Pogradeci kishte humbur po 2-0 me Flamurtarin, me dy gola të realizuar nga Vilfor Hysa, aktualisht në radhët e Laçit. Flamurtari rigjen fitoren pas tri ndeshjeve (dy barazime dhe një humbje) dhe për momentin ndodhet në vendin e katërt, me 30 pikë, dy më shumë se Kastrioti, që sot do luajë kundër Bylisit. Ndërsa në takimin tjetër, Vilfor Hysa shënoi dy gola në njëzet minutat e fundit të ndeshjes, për t’i garantuar Laçit një fitore komode 2-0 ndaj Tomorit, ndeshje kjo e zhvilluar në fushën asnjanëse të Krujës. Për Hysën këta ishin golat me numër 7 dhe 8, pasi sulmuesi tiranas shënoi në fazën e parë 5 gola me fanellën e Flamurtarit. Hysa u ka dhënë dy fitore trepikëshe kurbinasve, pasi kishte shënuar edhe golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Vllaznisë. Sfida kishte brenda edhe një përballje emocionuese për Përparim Daiun e Laçit, pasi trajneri kavajas në katër javët e para të këtij edicioni kishte drejtuar Tomorin (dha dorëheqjen pas humbjes 6-2 me Shkumbinin). Një debutim me humbje për Ernest Gjokën, trajnerin që pasoi Eqerem Memushin në pankinën beratase.
Superiore/ Java 18
Të shtunën
Teuta-Apolonia 2-1
Shënues: Dosti 65′, Pepa 74′/ Gërxho 90+3′
Shkumbini-Dinamo 1-0
Shënues: Shenaj 80′
Dje
Pogradeci-Flamurtari 0-2
Shënues: Pejiç 13′, Progni 25′
Laçi-Tomori 2-0
Shënues: Hysa 70′, 87′
Sot
Kastrioti-Bylisi 15:00
Kamza-Skënderbeu15:00
Tirana-Vllaznia 18:00
RENDITJA
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P 1. Tirana 17 12 3 2 26 14 39
2. Skënderbeu 17 11 5 1 33 11 38
3. Teuta 18 11 4 3 21 12 37
4. Flamurtari 18 8 6 4 25 14 30
5. Kastrioti 17 8 4 5 27 19 28
6. Bylisi 17 6 5 6 29 25 23
7. Vllaznia 17 7 2 8 27 23 23
8. Shkumbini 18 6 5 7 24 29 23
9. Laçi 18 7 5 6 16 20 20
10. Kamza 17 5 3 9 13 19 18
11. Tomori 18 5 2 11 20 33 17
12. Pogradeci 18 5 2 11 15 30 14
13. Apolonia 18 2 5 11 16 32 11
14. Dinamo 18 2 5 11 12 23 8
SHËNIM: Dinamo -3 pikë, dënuar nga FIFA.
Laçi -6 pikë dhe Pogradeci -3 pikë, dënuar nga Disiplina.
Portieri shan sportdashësit
Kur pritej të mbyllej pjesa e parë e takimit, trajneri Ylli Çekiçi bëri një zëvendësim. Nga loja doli portieri Hoxha, ndërsa në vend të tij u aktivizuan Petrovski. Gjatë zëvendësimit, tifozët reaguan ndaj portierit, duke qenë të pakënaqur me paraqitjen e tij. Mirëpo, Hoxha nuk i mbajti dot nervat dhe në momentin që po futej në dhomat e zhveshjes lëshoi një ofendim ndaj tifozëve. Kjo u dëgjua edhe gjatë transmetimit direkt. Me shumë mundësi, ndaj tij mund të merren masa ndëshkuese nga drejtuesit e klubit.