E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj-Vila, golat kuqezinj

Elis Bakaj dhe Emiliano Vila

Legjionarët/ Dy mesfushorët e Kombëtares shqiptare, protagonistë në Ukrainë e Greqi.

Fantazisti fiton derbin me shqiptarët e Vorsklas Dallku dhe Januzi.

Elis Bakaj realizoi një gol me vlerë 3-pikëshe në Ukrainë dhe skuadra e tij, Çernomorec, doli e fituar 2-1 në ndeshjen shtëpiake ndaj Vorsklës së dy shqiptarëve të tjerë: Dallku dhe Januzi. Gol me vlerë shënoi edhe Vila në Greqi. Në një përballje shqiptarësh, Bakaj shënoi në minutën e 76-të, ndërsa më parë kishin shënuar Matos në minutën e 8-të për skuadrën e Odesës dhe Selin kishte barazuar në të 50-n për miqtë. Bakaj realizoi vetëm 8 minuta pasi kishte hyrë në fushë në vend të Balashovit. Në radhët e Çernomorecit luajti edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, i cili u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa për Vorsklën në fushë ishin Armend Dallku (karton i verdhë) dhe Ahmed Januzi. Ky ishte goli i parë i Bakajt me këtë skuadër, që prej fundjanarit të këtij viti, kur ai kaloi nga Dinamo e Bukureshtit për shumën e 100 mijë eurove. Lojtari ka luajtur deri tani disa ndeshje me këtë skuadër, por pa qenë ende një titullar, kjo edhe për faktin se nuk është ambientuar ende me kampionatin ukrainas. Sakaq, një gol me shumë vlera shënoi dje edhe Emiliano Vila për Janinën në kampionatin grek, ndonëse nuk arriti dot t’i jepte fitoren skuadrës së tij. Futbollisti i Kombëtares shqiptare kaloi në epërsi vendësit në minutën e 59-të në ndeshjen ndaj Ergotelisit, por e papritura ndodhi në fund, pikërisht në sekondat e fundit të ndeshjes, kur skuadra mike edhe pse e mbetur me 2 lojtarë më pak, barazoi rezultatin. Jalusis ishte autori i golit, ndërsa të përjashtuar për Ergotelisin ishin Egutu Elizeh në 77′ dhe Sarris në 80′. Janina ndodhet në vendin e 12-të të kampionatit grek me 29 pikë, dy më shumë se Ergotelis. Ndërkohë për Janinën nuk ka qenë në fushën e lojës Andi Lila, pasi mbrojtësi është pezulluar për dy ndeshje radhazi, për shkak të kartonëve të verdhë të akumuluar gjatë sezonit (6 kartonë të verdhë).

Salihi
Sulmuesi i DC Junajtid, Hamdi Salihi, nuk ka shënuar as këtë javë për ekipin e tij në Major League Soçer. Shqiptari ka luajtur për 80 minuta dhe është zëvendësuar nga trajneri, për shkak se nuk po arrinte të hynte në lojë, duke mos rrezikuar qoftë edhe një herë të vetme portën e kundërshtarëve.

Roshi-Hyka
Shqiptari Odise Roshi nuk ka luajtur asnjë minutë në humbjen e skuadrës së tij, Këln, në fushën e vet dje ndaj Dortmundit. Lojtari ishte në pankinë, por nuk u aktivizua nga trajneri. Ndërsa Jahmir Hyka luajti rreth 30 minuta (në pjesën e dytë) në fitoren e Luzernit 1-0 ndaj Grashopersit.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›