E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zi kombëtare, por edhe solidaritet e humanizëm

24-05-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Ngjarja e hidhur e 14 studentëve fatkëqij të fakultetit të gjuhë-letërsisë të Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, përveç lotëve të të gjithë popullit, duke filluar nga kryeministri Berisha, tregoi - së paku - edhe dy tipare që zgjuan mbresa të forta te njerëzit që ndiqnin kronikat në mediet televizive: Së pari, solidaritetin dhe mallëngjimin mbarëpopullor të vendit-amë, por edhe të shqiptarëve në shtetet që janë përreth Shqipërisë, si edhe në diasporën e largët, përtej Atlantikut. Te ne: një mobilizim i tillë tërësor, i vetvetishëm, në kohë rekord, - për t’u ardhur në ndihmë viktimave, ishte dëshmi e një humanizmi gjithëpërfshirës. U dukën dhe spikatën vetitë më të mira të fisnikërisë, dhembshurisë dhe shpirtmadhësisë shqiptare. Në mënyrë të menjëhershme u  nxorën viktimat nga një autobus që kishte rënë prej një lartësie prej 70 metrash. Himariotët dhe shqiptarët punues aty pranë, ua lehtësuan për së mbari vështirësitë helikopterëve, autoambulancave, dhe ndihmës së shpejtë për t’i transportuar të aksidentuarit në spitalin e Himarës, të Vlorës dhe të Tiranës (në Spitalin Ushtarak). Gjaku për përdorim të menjëhershëm dhe për rezervë për kohën e mëpastajme, u sigurua me bollëk. Dhuruesit e gjakut u ofruan pa bërë asnjë thirrje për një emergjencë të tillë. Secili e kuptoi më së miri detyrën që u bë e pranishme për një gjendje të tillë të jashtëzakonshme. Kryeministri i la punimet e ditëve të fundit të mbledhjes në Çikago dhe u gjend vrik e në Këshillin e Ministrave për të shpallur ditën e zisë e për të dhënë kumtin se të gjitha shpenzimet për përtëritjen  e gjendjes shëndetësore të të plagosurave do të përballoheshin, me një fond të posaçëm,  nga ministra e Brendshme. Duke dhënë, njëherësh,  porosi të posaçme  për ministrinë e Shëndetësisë për gjithçka duhej për rigjenerimin e të shtruarve, me të gjitha ilaçet që mund të silleshin urgjentisht, apo dërgimet e pacienteve në spitalet më të specializuara jashtë Shtetit. Kishte marrë vesh se nevojat për gjak ishin plotësuar. Megjithatë, si mjek, porositi edhe për rezerva gjaku, që të mos dilte as problemi më i vogël, në pikëpamje të mangësive. Për ata që humbën jetën, kryeministri u përlot kur foli tërë ndjenjë për këtë fatkeqësi të papritur.
Por folëm, që në fillim, për dy tipare. Së dyti, pra, shikuesit televizivë u vunë përpara një dukurie që na është bërë e zakonshme, tashmë. Disa prej medieve, në shërbim të përditshëm të kryetarit të PS-së, në atë atmosferë përkushtimi gjer në teprí, me doktorët e një numri tepër të madh, gjer në mbingarkesë të korridoreve të spitaleve, u gjet se u gjet rasti - megjithatë, -  për vërejtje që binin ndesh me atë atmosferë ngushëlluese, të paparë ndonjëherë, më parë. Për të qenë të drejtë, duhet të përmendim se edhe në mjaft stacione televizive të majta, pati njerëz me ndjenja njerëzore që nuk u përfshinë në atë nihilizmin që stononte në mjedise të një fryme të përgjithshme, në të cilat secili mundohej që të ishte kontribuues, me aq sa mundej. Nga rënia prej një lartësie ta tillë marramendëse, ç’është e vërteta, njerëzit menduan për më keq. Kush e di sa nga të aksidentuarat do të mbeteshin pa krah, pa këmbë, apo të gjymtuara gjer në atë shkallë sa të detyroheshin ta kalonin jetën rrëshqanthi nëpër karriget me rrota, ishte frika e njerëzve, që nuk i ndaheshin televizorit. Por është entuziazmuese e vërteta se sa  shpejt e morën veten ato vajza që dukeshin si në koma natën e parë dhe nuk shpreheshin dot, për të dhënë ndonjë sqarim të mundshëm.
Për njerëzit më të afërt të udhëtarëve këtij udhëtimi fatkeq është ngushëllues fatmirësia që  gjithçka u bë në mënyrën më optimale, në kohë dhe në përkujdesje. Kësisoj ishin të pavend vërejtjet  se njerëzit e thjeshtë, të paspecializuar, u ndodhën më shpejt pranë autobusit të rënë në një hon të thellë, sesa organet e policisë dhe ato sanitare, që janë më të kualifikuara për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Por a mund të ndodhte e kundërta? Mendimet që të jenë të pranishëm në të gjithë rrugën ekipe të specializuara policore dhe sanitare, është iluzor. Por edhe ata që fatkeqësisht e humbën jetën, u gjetën pa jetë në autobusin e aksidentit, në vëzhgimin më të parë dhe pa humbje kohe, nga personat që u gjetën aty për aty në heqjen e viktimave të këtij udhëtimi. Personi që foli kështu, e kuptoi se vërejtja e tij, në mirëbesim, nuk qëndronte. Dhe, gjatë debatit në panel, foli me respekt për gatishmërinë e policisë, për rregullin në kategorizimin e pacientëve, në përçimin fillimisht në Himarë dhe, në vijim, në Vlorë. E çmoi ardhjen në minimum të kohës së helikopterëve. Pra, nuk e kemi me një vërejtje të tij të paqëllimtë. E kemi me ata që vazhduan ritualin e kahershëm e që i largoheshin temës konkrete dhe na çonin te një rrugë, në filan vend dhe me dëmtime të mëdha, që “do të bëhet shkak aksidentesh të pritshme”. Në një vend tjetër paskan rënë gurë nga lartësitë e thepisura të maleve e kodrave! Në rrugën ku ngjau aksidenti për të cilin po flasim, disheza qenka e një tendence të theksuar... – e të tjera. Nuk u durohet disa njerëzve, që të presin ekspertizën!
Duke folur për pjerrësinë: Gjerësia ishte më se e mjaftueshme. Në njërën anë ishte muri i gjerë prej betoni; në anën tjetër ishin parmakët kufizues. Sinjalistika ishte e rregullt: “Kufizim shpejtësie”. Asfalti ishte krejtësisht i padëmtuar dhe  pa gurë apo mbetje të tjera. Bazamenti ishte i thatë. Këto veçori të atij segmenti rrugor u shpallën që në fillim nga ekspertët e policisë rrugore. Ne mund të shtojmë se, në qoftë se rruga do të ishte si ajo e pafilluara e “Taksës Majko”, sigurisht nuk do të duhej as sinjalistika. Se me gropa-gropa, siç ishin rrugët në kohën kur edhe kryeqyteti ishte si mos më keq, do të ecje doemos me hapat e breshkës dhe kuptohet se aksidentet do të shmangeshin tërësisht, aq më tepër po të zhdukeshin edhe makinat nga qarkullimi! Por harrohet, vallë, sesi këta buzëvarur nuk e kujtojnë atë alarmin e madh në gjirin e Vlorës, alarm që u dha nga gomonet në mbytje e sipër (për shkak të furtunës e të dallgëve të hatashme) dhe u bë veshi shurdh nga policia e kohës, kur në pushtet ishin socialistët? U çanë celularët prej të rrezikuarve prej dallgëve kush e di sa ballëshe dhe shteti i asaj kohe i la, gjakftohtësisht, të mbyteshin! U bë edhe një shoqatë për sensibilizimin e vrasësve të kohës. Askush nuk ua vuri veshin nga shteti në fuqi!
Tani po zhurmojnë që të hiqet moratoriumi i motoskafëve, kur dihet se cilët janë padronët e këtyre mjeteve. Italianët po na lavdërojnë se shpëtuan nga klandestinët. Por, megjithatë, nihilistët vazhdojnë ison e tyre! Në përmbytjet e veriut nuk patëm asnjë viktimë, siç kishte ngjarë në vende më të zhvilluara se né. Por opozitarët tanë sikur kërkonin viktima, për të ushqyer propagandën e tyre obstruksioniste. Aksidenti “Trebicka” u quajt komplot! Ekspertiza e saktë amerikane ua mbylli gojën haluçinantëve të “komplotit”! Komplotuesit më të regjur nuk dalin si puna e budallait, në një fushë krejtësisht të hapur, në mes të ditës. Se do të ziheshin si miu në çark! Veçse ka gojëra të telekomanduara që prapë e  përdorin si “argument”...
Sidoqoftë le t’i lëmë mënjanë Kasandrat, në një kohë që po dëgjojmë edhe lajme të hareshme, se vajzat e plagosura po ripërtërihen, njëra pas tjetrës, pa ndonjë cen.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›