E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zidane ndihet fajtor

Pas tri vjetësh e gjysmë nga finalja e Kampionatit Botëror, Gjermania 2006, Zinedine Zidane është rikthyer të flasë për goditjen me kokë që ia kishte dhënë në gjoks mbrojtësit italian, Marco Materazzi, në finalen e Botërorit, të cilin e patën fituar italianët pas ekzekutimit të penalltive.

Zidane e ka pranuar fajin dhe thotë se ndëshkimi i tij me karton të kuq ishte i merituar. Ai e ka vlerësuar edhe punën e gjyqtarit të katërt, i cili e kishte parë gjithë këtë skenar.

“Ishte mirë që shkoi kështu (që u ndëshkua). Ishte e drejtë që Buffon shkoi te gjyqtari për t’i sinjalizuar për atë që kisha bërë, sepse nuk ishte gjest i këndshëm”, ka deklaruar ish kampioni botëror i Francës për të përjavshmen France Football.

Ai mendon se është më mirë që fundi i ndeshjes dhe rezultati, ishin korrekt, sesa gjesti i tij ndaj mbrojtësit Azzurr të mos sanksionohej.

“Sinqerisht, nuk e di se si do ta përjetoja atë peshë të ndërgjegjes, nëse Franca do të shpallej kampione e botës dhe unë do të mbetesha në fushë. Do të ishte shumë vështira ta përjetoja një titull të kampionit të botës, të arritur pas një gjesti të tillë. Do ta përjetoja keq, kjo është e qartë. Mbi të gjitha sepse ai do të ishte imazhi im i fundit si futbollist aktiv”, ka shtuar njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit.

Ish futbollisti i Juventus dhe Real Madrid, gjithmonë i ishte shmangur pyetjes për rastin me Materazzin. Futbollisti italian e kishte provokuar dhe sharë Zidanen, përpara se ky ta godiste me kokë në gjoks.

Francezi nuk ka pranuar më kurrë të takohet me mbrojtësin provokues italian, përkundër faktit se ky i fundit dhe mediat e ndryshme, e dëshironin një gjë të tillë. Zidane e ka pranuar fajin, por ka thënë se kurrë nuk do të flasë me Materazzin dhe kurrë nuk do t’i kërkojë atij falje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›