E Diel, 1 Nëntor 2026

Zikaltrit kërkojnë edhe Benzema, për francezin parashikohet një duel me Milanin

Stiven Xherard, kapiteni i Liverpulit, mund të jetë në gjashtë muajt e fundit të karrierës në Premiershipin anglez. Sipas menaxherit italian të futbollit, Klaudio Paskualin, mesfushori ka gjasa të transferohet në Serinë A, për t’u bërë pjesë e Interit të Zhoze Murinjos. Kampionët në fuqi në Itali po planifikojnë blerje të bujshme në merkaton e verës dhe Xherard është në listën me emrat kryesorë që tekniku verdhezi kërkon të blejë. Ylli 29-vjeçar është një idhull në “Anfilld Roud”, ku luan prej fillimit të karrierës, por problemet financiare të klubit, mungesa e investimeve nga pronarët amerikanë dhe situata e tensionuar që krerët e skuadrës kanë me trajnerin Rafa Benitez, mund ta bindin të largohet. Mediat britanike kanë bërë të ditur se Xherard dhe Fernando Torres do të jenë në shitje, në mënyrë që të zgjidhet kriza e rëndë financiare e “Reds”.
“Skuadrat më të mëdha të Serisë A po punojnë që tani për merkaton e muajit qershor dhe do të shihni surpriza. Interi po punon për afrimin e Stiven Xherard, duke përfituar edhe nga kriza ekonomike e Liverpulit”, deklaroi Paskualin për “Radio Anchio Lo Sport”. “Në të ardhmen ka edhe disa emra të mëdhenj që do të lakohen”. Së fundmi, Murinjo ka deklaruar se i nevojiten përforcime të rëndësishme në mesin e fushës. Pas fitores së arritur në kohën shtesë me Sienën të shtunën në mbrëmje, tekniku tha: “Natyrisht që po kërkoj afrimin e një lojtari dhe ai nuk është një sulmues”. Gjithsesi, blerja e Xherard nuk është e lehtë, pasi në garën për mesfushorin e Kombëtares angleze janë edhe Mançester Siti, i mbështetur nga milionat e sheikëve arabë dhe Barcelona, që kërkon t’i shtojë skuadrës të tjerë yje, në mënyrë që të vazhdojë dominimin botëror në rang klubesh.
Ndërkohë, Interi po studion edhe situatën e Karim Benzema. Që prej transferimit të tij nga Lioni te Reali i Madridit, për 35 milionë euro, sulmuesi francez ka qenë në qendër të vëmendjes vetëm për aksidentet automobilistike: 22-vjeçari nuk ka arritur të bëhet pjesë e rëndësishme e “galaktikëve” dhe në sfidën e fundit, trajneri Pelegrini e la sërish në stol. Zikaltrit e vlerësojnë mjaft potencialin e Benzema dhe do ta afronin me shumë dëshirë, por më parë duhet mposhtur konkurrenca e Milanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›