“Pas zborit mund të hartoj një listë përfundimtare për Kombëtaren”
Aktiviteti i parë për vitin 2010 ka përfunduar dhe trajneri Josip Kuzhe është shprehur me nota mjaft pozitive për “zborin” stërvitor në Turqi. Grumbullimi 7-ditor e ka ndihmuar drejtuesin e stolit kuqezi që të krijonte një ide më të qartë për kandidatët potencialë për t’u bërë pjesë e kontingjentit të Kombëtares. Objektivi kryesor ishte plotësimi i grupit për eliminatoret e Euro 2012. “Për ne sapo ka filluar puna për fushatën eliminatore të Euro 2012 dhe kemi planifikuar të zhvillojmë edhe shumë aktivitete të tjera, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur. Për këtë eveniment, skuadra ka dy mungesa kryesore: na nevojitet një mbrojtës qendre dhe një mesfushor shkatërrues. Në repartin difensiv kjo mund të zgjidhet me afrimin e Mavrajt.
Jam shumë i kënaqur me punën që ky lojtar po bën te Bokumi (në Bundesligën gjermane) dhe e pres t’i bashkohet ekipit në miqësoren e parë që do të luajmë. Për eliminatoret kam nevojë për lojtarë, të cilëve mund t’u besoj 100 për qind”, deklaroi kroati 57-vjeçar. “Do të zhvillojmë disa miqësore përpara ndeshjeve zyrtare. Aty ndoshta do të eksperimentojmë dhe të provojmë lojtarë që më parë nuk kanë pasur shanse. Megjithatë, siç e theksova, nuk mund të kem besim tek ata elementë që ende nuk më kanë bindur, duke përfshirë këtu edhe grumbullimin që zhvilluam në Antalia. Gjatë 7 ditëve të ‘zborit’ mësova shumë për kandidatët e Kombëtares dhe tani kam një ide më të qartë të kualitetit të tyre. Do të bëjmë një analizë të detajuar për secilin individ; tani mund të hartoj një listë përfundimtare me futbollistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Ka të rinj me potencial, por duhet të tregohemi të kujdesshëm me përfshirjen në skuadër dhe t’i kushtojmë vëmendje rritjes së nivelit të tyre. Aktualisht kemi 15-16 lojtarë, e do të ishim të lumtur nëse do të fitonim ndonjë element më shumë”.
Kuzhe nuk i kurseu vlerësimet për të konfirmuarit Bakaj, Vila, Sefa apo Lila, ndërsa ata që lanë më shumë përshtypje në stërvitjen e organizuar në tokën turke ishin talentet e repartit sulmues. “Do ta komentoja si pozitive paraqitjen e Bekim Balës, Vasil Shkurtajt dhe Odise Roshit. Në fazën ofensive kualitet ka edhe çikalleshi, por ai duhet të punojë më shumë që të arrijë nivelet e kërkuara. Do të veçoja edhe një talent si Veliaj i Laçit, i cili duhet të punojë për të kapur formën fizike, pas dëmtimit në shpatull. Ai mund të jetë një kandidat. Kishte edhe lojtarë që më zhgënjyen, por nuk preferoj të përmend emra konkretë, në mënyrë që mos t’i demoralizojmë, pasi në të ardhmen ata mund të përmirësohen”, tha tekniku, i cili analizoi edhe punën me të rinjtë në vendin tonë: “Deri sa grumbullova lojtarë që në moshën 17, 18, 19 vjeç kanë luajtur si titullarë, mund të them se me të rinjtë nuk është punuar keq. Shqipëria ka talente, megjithatë ka ende shumë punë, ku kryesorja është përmirësimi i kushteve stërvitore. Federata ka investuar në ndërtimin e fushave me bar sintetik, duke treguar se po u kushton shumë vëmendje përgatitjes së talenteve. Gjithashtu, lojtarët duhet të bëjnë punë individuale”.