E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zimbabveja në vështirësi të mëdha

Shkëlqimi i diamantëve nuk duket se rrezaton në Zimbabve. Ekonomia në këtë vend nuk ka shënuar rritje, megjithëse janë zbuluar depozita të këtyre gurëve të çmuar. Zona e Maranges, ku ndodhen depozitat është bërë sinonim me korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, gjë që çoi në embargo ndaj eksportit të diamantëve të Zimbabvesë në vitin 2008. Tani embargoja është hequr dhe qeveria po përpiqet të krijojë imazhin se çdo gjë ecën mirë në Marange.

Depozitat e diamantëve në Zimbabve mund të jenë më të mëdhatë të zbuluara kohët e fundit në botë dhe mund t`i japin një shtysë të madhe ekonomisë së vendit. Por deri tani kanë nxitur vetëm akuza për shkelje të të drejtave të njeriut nga ushtria gjatë nxjerrjes së diamantëve. Qeveria i hedh poshtë këto akuza.

Kohët e fundit, grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësimin se paratë e gjeneruara nga shitja e diamantëve po ushqejnë partinë ZANU-PF të presidentit Robert Mugabe për të siguruar rizgjedhjen e tij. Kohët e fundit, qeveria sponsorizoi një vizitë në zonën e pasur me diamantë për të bindur aktivistët për të drejtat e njeriut se abuzimet janë ndalur.

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, ritmet e papunësisë në Zimbabve janë 80 për qind. Shumë veta mendonin se me zbulimin e diamantëve 8 vjet më parë, problemet e vendit do të merrnin fund. Por situata në vend mbetet tepër e rëndë, megjithëse ka pasur një përmirësim të vogël të ekonomisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›