E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zinxhiri i borxheve, Velaj: Duhet ristrukturuar sistemi

Pavarësisht situatës mjaft të favorshme të reshjeve për këtë vit, sistemi energjitik shqiptar përsëri mbetet i varur nga importi, në një çast kur operatorët janë të mbërthyer në një zinxhir të ndërsjellë borxhesh i cili mban peng gjithë sektorin. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Halit Velaj, Drejtori i Korporatës Energjetike Shqiptare shpjegon motivet e krijimit të këtyre borxheve dhe nevojën për ristrukturimin rrënjësor të sistemit. Ndërsa flet për borxhet e ndërsjella mes kompanive, Velaj sqaron se problematike mbeten faturat e pashlyera nga "CEZ Shpërndarje", ndërkohë, vetë KESH është debitor ndaj hidrocentraleve të vogla nga të cilat blen energji.
Këtë vit kemi pasur një situatë mjaft të mirë hidrike. Si është gjendja e rezervave hidrike dhe financat e KESH në këtë situatë?
KESH ka prodhuar këtë vit rreth 4.5 miliard kwh energji elektrike. Në këtë mënyrë, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit kemi realizuar gjithë planin vjetor të prodhimit. Kjo sasi prodhimi është siguruar nga kaskadat, ndërkohë që një pjesë e saj nga hidrocentralet e vogla. Kuotat e baseneve të kaskadës së Drinit janë në nivele mjaft të favorshme, ndërkohë që në ndihmë po na vjen edhe fakti që "CEZ Shpërndarje" ka nisur të importojë sasinë e humbjeve në rrjet.
Në fakt ishte KESH që e detyroi "CEZ Shpërndarjen" të importonte energjinë e humbur në rrjet. Një apel i juaji para pak javësh nxori në pah se nëse CEZ nuk do niste importin, gjithë sistemi do të gjendej në vështirësi. Përse lind nevoja që CEZ të importojë në një situatë kaq të favorshme hidrike?
Në fakt importi nga ana e CEZ duhej të kishte nisur më 1 korrik dhe nisi më datë 16. Domosdoshmëria lind nga fakti se, në rast se humbjet do të mbuloheshin me prodhim vendas, niveli i Fierzës do të binte me shpejtësi, me një kuotë prej më shumë se 20 metrash. Duke qenë se kemi përpara muaj të thatë, në shtator e tetor do të gjendeshim në vështirësi për të siguruar prodhimin e nevojshëm në rast se niveli i kaskadës bie kaq shumë.
Kemi një situatë borxhesh të ndërsjella mes kompanive të sistemit tonë energjitik. Pse është krijuar?
Së pari nga mosshlyerja e detyrimeve nga "CEZ Shpërndarje" në hapësirën kohore 2011-2013. Kemi një lehtësim të situatës pas marrjes së kësaj shoqërie nën administrim nga shteti shqiptar, por që gjithsesi mbetet ende mjaft e vështirë duke parë gjendjen e kësaj kompanie. Magazinat e saj janë bosh, investimet nuk janë kryer. Baza materiale e kompanisë është lënë në gjendje të mjerueshme. E gjitha kjo reflektohet në faktin që CEZ nuk ka mundësitë për të kryer funksionin e vet, e jo të nisë shlyerjen e borxheve ndaj KESH.
Në këndvështrimin tuaj, si ishte menaxhimi i CEZ nga çekët?
Mjaft problematik. Po të krahasojmë atë që pritej nga ky privatizim me atë çfarë ndodhi, më duhet të them se menaxhimi i tyre qe mjaft i keq. Duke nisur që nga ulja e fuqisë punëtore. Për shkak të kësaj, në asnjë rast gatishmëria e kompanisë për të përballuar defektet nuk qe në nivelin e duhur. Punonjësit që i shërbenin drejtpërdrejt klientit u lanë me rroga tepër të ulëta. Ndërsa kompania shpresonte se duke ulur këto shpenzime do rriste fitimet, ndodhi e kundërta. Ra niveli i shërbimit ndaj klientit, u shtua numri i defekteve e problemeve, të cilat bashkë me mungesën e plotë të investimeve e bënë të pamundur aktivitetin e kompanisë. Në momentin që u largua nga Shqipëria, administrata çeke la një borxh prej 300 milionë eurosh ndaj KESH. Ky borxh është shtuar edhe më tej që nga janari i këtij viti.
Një problem më vete janë humbjet e energjisë në rrjet. Ç'sasi e energjisë humbet sot dhe si ndikon në sistem?
Humbjet në rrjet arritën në kuota mjaft shqetësuese pak para largimit të çekëve. Shkuan në kuota mbi 50 për qind, rreth 52 për qind. Mbeten ende të larta, rreth 38%, por gjithsesi shumë më poshtë nga koha e administrimit të çekëve. Kjo ulje ka dhënë një farë shtyse pozitive në gjithë sistemin, gjithsesi mbetet shumë e lartë dhe shqetësuese.
Supozohej se një seri hidrocentralesh të vogla të ndërtuara gjatë kohëve të fundit duhej ta përmirësonin situatën energjike në vend. E kanë pasur këtë impakt?
Praktikisht e kanë përmirësuar situatën energjetike, pasi prodhimi në vend është rritur. Por ka një problem me këto HEC-e, pasi KESH ua blen energjinë shtrenjtë, që do të thotë se kemi një rritje të prodhimit, por me kosto aq të larta, sa vënë në vështirësi financiare Korporatën Energjetike Shqiptare.
Me sa ua blen KESH energjinë këtyre prodhuesve?
Ua blen me 9.2 lekë për kwh dhe ia shet CEZ-it me 2.2 lekë për kwh.
A mund të themi me siguri se e kanë përmirësuar situatën, kur energjia e tyre blihet kaq shtrenjtë, madje shumë më shtrenjtë se importi?
Prania e tyre është një zhvillim pozitiv për disa arsye. Së pari, është shtuar prodhimi vendas; së dyti, ajo sasi valute që do të përdorej për të importuar energji u mbetet kompanive shqiptare; së treti, nxitet prodhimi i energjisë së pastër në vend. Plus që, me kalimin e kohës nuk do të jetë më ky raport çmimesh mes KESH e prodhuesve të vegjël.
Gjithsesi është një peshë financiare aspak e lehtë për KESH...
Në fakt është një peshë e rëndë, pasi vetëm për muajin maj, detyrimi financiar i KESH në drejtim të këtyre HEC-eve është 1.2 miliardë lekë, rreth 12 milionë dollarë.
Kemi një sistem energjitik të mbërthyer nga një zinxhir borxhesh mes operatorëve. A ka ndonjë mekanizëm që të zbardhet ky zinxhir dhe secili prej operatorëve të mos jetë më i varur nga faturat e pashlyera që ka ai vetë ndaj të tjerëve e të tjerët ndaj tij?
Padyshim që është e domosdoshme që të rikonfigurohet i tëri sistemi dhe operatorët. Është e domosdoshme të kemi ndarjen e gjenerimit të energjisë nga shitja e saj. Të dyja këto funksione i kryen aktualisht KESH. Ndërkohë që është e nevojshme që këto dy funksione të ndahen: Prodhimi veç dhe menaxhimi i shitjeve veç. Sistemi duhet të funksionojë sipas modelit të tregut. Pranë Ministrisë së Energjetikës duhet ngritur një agjenci që të dijë sa është nevoja në vend, sa prodhon KESH, sa prodhojnë HECE-t e vogla, për rrjedhojë edhe sa duhet të importohet. Ekzistenca e një agjencie të tillë, që do rakordonte totalin e prodhimit vendas e do përcaktonte edhe kuotat e importit, ndërkohë që do kishte të qartë edhe peshën e energjisë së humbur në rrjet në CEZ, do të përcaktonte gjithashtu me qartësi fondet buxhetore që duhen shpenzuar çdo vit për të siguruar furnizimin me energji në vend.
E shihni të ndodhë një ndryshim të tillë?
E shoh të ndodhë ndarja e furnizuesit publik nga KESH, në një të ardhme jo të largët. Besoj se qeveria e ardhshme brenda vitit 2014 duhet ta marrë në shqyrtim seriozisht këtë problematikë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk duhet të jetë më e tillë si koncept. Ne jemi prodhues dhe duhet të mbetemi të tillë. Nevojitet një agjenci që t'i përkushtohet tërësisht menaxhimit të sasisë që prodhohet në vend dhe kërkesës për energji në vend.
Kemi edhe një problem tjetër: Blejmë energji kur çmimi i saj është në nivelet më të larta dhe shesim me çmime minimale.
Pikërisht! Kemi mundësi të importojmë energji vetëm në ato momente kur askush nuk ka nevojë të blejë. Në asnjë rast nuk jemi në gjendje të lidhim kontrata afatgjata për eksport energjie, pasi nuk japim dot asnjë garanci se do kemi mundësi ta bëjmë. Ne shesim vetëm kur kemi prurje të mëdha, vetëm për të mos i çuar dëm.
Do ndodhë ndonjëherë që Shqipëria të mos ketë më nevojë të importojë energji, veçanërisht duke parë rreth 300 kontrata të nënshkruara për ndërtimin e 300 hidrocentraleve të vogla?
Kjo është e vështirë. Hidrocentralet e vogla të ndërtuara deri tani, sigurojnë vetëm rreth 7-8 për qind të prodhimit në vend. Bazë për furnizimin me energji mbetet Kaskada e Drinit. Një shtysë pozitive do të jepte ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, prania e të cilit do të rriste ndjeshëm prodhimin vendas, por gjithsesi zor të arrijë të plotësojë tërësisht nevojën e vendit për energji.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›