E Diel, 1 Nëntor 2026

I arratisuri Ilir Kupa, 500 metra larg kufirit shqiptaro-grek

Policia greke ka gjetur shenjat e gishtërinjve të Ilir Kupës në një shtëpi në Kerasohori, në Greqi, pranë kufirit me Shqipërinë. Sipas të dhënave ai ka pirë ujë, ka hapur disa konserva dhe është larguar sërish.

Policia greke është e shqetësuar për faktin se fshati ku ndodhet kjo shtëpi, është vetëm 500 metra larg Shqipërisë dhe ekziston frika se ai mund të ketë kaluar kufirin.

Autoritetet mendojnë se Ilir Kupa ka bashkëpunëtorë në gjithë këtë ndërmarrje të tij të ditëve të fundit. Një zyrtar i policisë ka thënë për median greke se “Ilir Kupa nuk mund të ketë mbërritur vetëm në Kerasohori. Është e pamundur për t’i bërë këto lëvizje vetëm''. Sipas burimeve policore, janë barinjtë shqiptarë që punojnë ligjërisht në zonë, të cilët e ndihmojnë ilir Kupën të zhvendoset pa u diktuar. 

Kerasohori ka rreth 200 banorë, të cilët sipas të dhënave paraprake nuk kanë vërejtur praninë e të arratisurit në fshatin e tyre.

Megjithatë policia greke thotë se ka dy arsye për të qenë optimiste. Së pari, sepse homologët shqiptarë, të cilët bashkëpunojnë ngushtë, kanë siguruar se Kupa nuk ka kaluar në territorin shqiptar dhe së dyti sepse, nëse do të kishte kaluar, ai do të ishte perceptuar nga kamerat termike dhe forcat e policisë.

Sipas policisë, Ilir Kupa është i armatosur dhe përbën rrezik si për veten ashtu edhe për forcat e policisë, ndaj këto të fundit kanë vendosur të qëndrojnë të fshehur për të mos u bërë objekt sulmi. 

Ndërkaq vazhdojnë përpjekjet e ambasadorit tonë në Greqi për të negociuar dorëzimin e Ilir Kupës, por deri tani të afërmit e tij, me të cilët është kontaktuar, nuk kanë treguar gatishmëri për të bindur 27 vjecarin të dorëzohet.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›