Zjarr i përmasave të mëdha në Abazë të Krujës, operacion nga toka dhe ajri, rrezikohen banesat, Nufi: Flaka u shkaktua nga dora e njeriut
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme zonën e Abazës në Krujë, duke vënë në alarm strukturat e emergjencave civile dhe duke rrezikuar banesat pranë vatrës së flakëve.
Për të ndjekur operacionin nga afër, në terren kanë mbërritur Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe krerët e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Zjarrfikësve. Sipas autoriteteve, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut.
“Në zonën e Abazës në Krujë, bashkë me kolegun Besfort Lamallari, Drejtorin e AKMC dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve duke ndjekur nga afër situatën e zjarrit të shkaktuar fatkeqësisht nga dora e njeriut”, bëri me dije Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Mobilizim nga katër bashki dhe ndërhyrje nga ajri
Për shkak se terreni malor dhe i thepisur e vështirëson ndërhyrjen e mjeteve motorike nga toka, operacioni po zhvillohet i koordinuar edhe nga ajri. Që prej pasdites, në vatrën e zjarrit janë angazhuar tre helikopterë të Forcës Ajrore për neutralizimin e flakëve.
Në terren po veprojnë forca të shumta të shërbimit zjarrfikës (MZSH) nga Kruja, Kamza, Tirana dhe Vora, të cilat po punojnë pa ndërprerje për mbrojtjen e zonave të banuara.
“Që prej pasdrekes, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore. Për shkak të terenit të thepisur dhe vështirësisë së ndërhyrjes nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri”, deklaroi më tej ministri.
Strukturat e emergjencës vijojnë qëndrimin në terren me synim vënien e plotë të situatës nën kontrol dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
/rtsh.al/