Zjarr mes Tërbaçit dhe Vranishtit, Tavo: Ndërhyrje nga toka dhe ajri në Himarë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme një zonë mes fshatrave Tërbaç dhe Vranisht, në Bashkinë Himarë, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe ato ajrore po vijojnë operacionin për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, bëri të ditur se në terren ndodhen efektivët e MZSH Himarë me mjete zjarrfikëse, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.
Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri, me qëllim përballimin sa më shpejt të situatës dhe kufizimin e përhapjes së flakëve.
Për shkak të zjarrit dhe kushteve atmosferike, tymi dhe hiri janë përhapur edhe në drejtim të qendrës së Himarës, duke shkaktuar rëndim të përkohshëm të cilësisë së ajrit.
Tavo theksoi se në zonën bregdetare të Himarës nuk ka asnjë vatër zjarri, duke sqaruar se situata atje vijon të jetë e qetë.
Bashkia Himarë po monitoron situatën dhe do të vijojë të informojë qytetarët për zhvillimet e mëtejshme lidhur me përhapjen dhe shuarjen e zjarrit, bëri të ditur Tavo.
/e.xh/a.f/