GJKKO lë në “arrest në burg” Ergys Agasin

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur vijimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Ergys Agasi.
Vendimi është marrë sot nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të paraqitur më 27 gusht 2026, për marrjen në pyetje të Agasit, ndaj të cilit ishte caktuar më herët masa e sigurimit.
Sipas njoftimit zytar, Ergys Agasi është nën hetim dhe dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, si dhe grupin e strukturuar kriminal, kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Gjykata bëri të ditur gjithashtu se Agasi dyshohet edhe për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Për ekzekutimin e vendimit është ngarkuar Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke nisur afati nga dita pas komunikimit të vendimit të arsyetuar, njofton GJKKO.
/e.xh/a.f/