Zjarr në fshatin Picar të Gjirokastrës, dy grupe zjarrfikësesh në terren

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën e quajtur Kurora e Gjelbër, në hyrje të fshatit Picar, në Gjirokastër, duke paraqitur rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar.
Sipas medieve, zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore, në një terren të vështirë për ndërhyrje për shkak të dendësisë së shkurreve dhe bimësisë.
Aktualisht, në terren po operojnë dy grupe të shërbimit zjarrfikës, ndërsa pritet të mbërrijë edhe grupi i tretë, me synim izolimin e vatrës dhe vendosjen sa më shpejt të situatës nën kontroll.
Sipas medieve, forcat zjarrfikëse po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët dhe për të parandaluar afrimin e tyre drejt banesave dhe zonës së banuar të fshatit Picar.
Situata vijon të monitorohet nga strukturat e emergjencave, ndërsa ndërhyrja në terren do të vijojë deri në neutralizimin e rrezikut.
/e.i/r.e/