Zjarr në një hotel në Vlorë, lëndohen gjashtë pushues

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Policia e Vlorës informoi se sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, 5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni.
Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Ndërsa një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.
Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
/m.m/