E Diel, 1 Nëntor 2026

Këngët labe dhe tingujt e fyellit sjellin atmosferë festive në Parkun Arkeologjik të Amantias

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Parku Arkeologjik i Amantias u kthye në një skenë të veçantë të muzikës dhe traditës shqiptare, me tingujt e këngëve labe dhe interpretimet e artistëve në kuadër të aktiviteteve verore që zhvillohen në zonën e Selenicës.

Grupi “Amantia” solli për publikun këngë të njohura të traditës labe, mes tyre “Labëria ime, Mal o gur i çmuar”, “Këngët shqiptare, këngët e mia” dhe “Ismail Qemali me derte”, duke përcjellë në një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike të jugut të vendit vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përcolli sot momente nga atmosfera e krijuar nga tingujt e muzikës polifonike labe në Parkun Arkeologjik “Amantia”.

“Me grupin Amantia, në Parkun Arkeologjik të Amantias, me këngët labe; ‘Labëria ime, Mal o Gur i çmuar..’, ‘Këngët Shqiptare, Këngët e mia’, ‘Ismail Qemali me derte’…, me Nazif Çelën e madh dhe Vendimin e fyellit magjik, tashmë i famshëm kudo, për Vajzë Festë, edicioni IV, pranë fshatit Vajzë, Bashkia Selenicë”, u shpreh Gonxhja.

Muzika, trashëgimia dhe peizazhi historik i Amantias u ndërthurën me aktivitetet e “Vajzë Fest”, edicioni IV që u zhvillua në bashkinë Selenicë, duke krijuar një tjetër mundësi për vizitorët për të njohur traditat dhe kulturën e zonës.

Aktivitete të tilla synojnë të sjellin më pranë publikut trashëgiminë kulturore dhe muzikore të Labërisë, duke e lidhur atë me destinacionet turistike dhe monumentet historike të jugut të Shqipërisë.

/m.m/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›