Zjarr në një pallat në Korçë, një banore dërgohet në spital

Një zjarr ka shpërthyer në banesën e shtetasit Andrea Lako në një pallat në qytetin e Korçës, duke shkaktuar panik mes banorëve. Sipas dëshmive të tyre, Lako jeton i vetëm dhe ndodhet në një gjendje të rënduar ekonomike. Zjarri ka shpërthyer kur Lako kishte dalë për të marrë bukë dhe kur është kthyer ka gjetur banesën e tij të përfshirë nga flakët.
Tymi ka depërtuar në të gjithë pallatin, duke shkaktuar frikë të madhe. Të gjithë banorët kanë dalë jashtë për të shpëtuar, ndërsa një grua është dërguar me urgjencë në spital pasi ka pasur probleme me frymëmarrjen.
Banorët e përshkruajnë Andrea Lakon si një njeri të vetmuar dhe pa mbështetje, pasi fëmijët e tij ndodhen në burg dhe ai jeton vetëm me të ardhura shumë të pakta. Ata kërkojnë ndihmën e autoriteteve për të siguruar mbështetje për të, duke theksuar vështirësitë që ai po kalon.
Po ashtu, disa banorë sugjerojnë se shkaktari i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndije elektrike, pasi kabllot e pallatit janë shumë të vjetra dhe mund të kenë krijuar një rrezik. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, ka mbërritur në vendngjarje për të ndjekur situatën.
/rtsh.al