Zjarr vdekjeprurës në Bosnje-Hercegovinë – Flakët përfshinë azilin e të moshuarve, viktima dhe dhjetëra të plagosur

Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Tuzlës në Bosnje, ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një shtëpi pleqsh mbrëmjen e së martës. Autoritetet konfirmuan se të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur.
Zjarri shpërtheu në katin e shtatë të ndërtesës, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi duke bllokuar shumë prej të moshuarve brenda dhomave. Shumë prej banorëve ishin me probleme shëndetësore dhe nuk mundën të lëviznin vetë. Ekipet zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe punuan për orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët.
“Me ndërhyrje të shpejtë, zjarri u shua dhe u shmang përhapja në pjesët e tjera të godinës”, njoftoi drejtoria e shtëpisë së pleqve. Sipas autoriteteve, mes të plagosurve ka edhe zjarrfikës e punonjës të shërbimit mjekësor që morën pjesë në shpëtim. Trupat e viktimave janë dërguar për identifikim dhe autopsi, ndërsa të lënduarit po marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Tuzlës.
Kryetari i bashkisë, Zijad Llugaviç, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të analizuar shkaqet e ngjarjes. Ministria e Brendshme njoftoi se hetimet do të nisin sapo të krijohen kushtet e nevojshme, ndërsa po punojnë për të gjetur vend strehimi të përkohshëm për banorët që mbetën pa shtëpi.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/