Zjarre masive përfshijnë 40 hektarë në Belsh, mobilizimi i jashtëzakonshëm shmang katastrofën

Dy vatra të fuqishme zjarri kanë përfshirë për rreth 9 orë një sipërfaqe prej 40 hektarësh në territorin e Bashkisë Belsh, duke djegur bimësi natyrore, ullishte dhe sipërfaqe të mbjella me kultura bujqësore. Falë një mobilizimi të menjëhershëm dhe të koordinuar të forcave, u arrit shuarja e plotë e flakëve, duke parandaluar një katastrofë të mundshme mjedisore dhe ekonomike.
Përballë situatës së vështirësuar nga era e fortë dhe terreni i thepisur, në operacion u angazhuan 10 mjete zjarrfikëse dhe një forcë e gjerë ndërinstitucionale. U mobilizuan dhjetëra efektivë nga shërbimet zjarrfikëse të Belshit, Peqinit, Lushnjës, Beratit dhe Kuçovës, si dhe forca të ushtrisë, Policisë së Shtetit, punonjës të shërbimeve publike dhe rreth 30 banorë vullnetarë. Në operacion u përfshinë gjithashtu edhe 2 helikopterë të Emergjencave Civile.
Një rol vendimtar luajtën edhe bashkitë fqinje si Gramshi, Kuçova, Cërriku, Lushnja, Berati dhe Peqini, të cilat i erdhën në ndihmë me mjete dhe personel të specializuar, duke garantuar një ndërhyrje më të shpejtë dhe më efikase.
Kryetari i Bashkisë Belsh falënderoi të gjithë të përfshirët, duke theksuar fuqinë e solidaritetit në kohë të vështira.
“Sakrifica dhe përkushtimi i zjarrfikësve, si dhe ndihma e bashkive fqinje dhe qytetarëve tanë, treguan edhe një herë fuqinë e solidaritetit në kohë të vështira,” u shpreh ai.
Aktualisht, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa strukturat vendore po vijojnë monitorimin e territorit për rrezik rindezjeje. Bashkia Belsh i bën thirrje publikut për kujdes maksimal gjatë muajve të verës, duke kërkuar të shmanget çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në natyrë.
/rtsh.al/