Zjarre në Dajt dhe Priskë, flakët përfshijnë një sipërfaqe të madhe. Vatër e re edhe në Përlat të Mirditës, rrezikohet një shkollë

Situatë e vështirë raportohet në disa zona të vendit për shkak të zjarreve, ndërsa ekipet e emergjencave, por edhe vetë banorët po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e tyre drejt zonave të banuara.
Një vatër zjarri është aktive në Priskë të Madhe, mbi Farkë dhe pranë Lundrës. Në terren po operojnë 15 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse, të angazhuara për izolimin e flakëve.
Ndërkohë, vijon operacioni edhe në Dajt, në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Sipas autoriteteve, në të dyja këto raste nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Një tjetër situatë problematike raportohet në Përlat të Mirditës, ku një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të zonës pas përplasjes së telave të energjisë elektrike, të shkaktuar nga era e fortë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara edhe nga kushtet e motit. Në terren po punohet për shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e banesave, ndërsa situata paraqet rrezik edhe për shkollën e fshatit.
Në përpjekje për të ndihmuar në përballimin e situatës, edhe banorët e zonës janë angazhuar krah forcave që ndodhen në terren.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave vijojnë ndërhyrjet në të gjitha zonat, ndërsa mbetet e rëndësishme monitorimi i situatës për shkak të erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve.
/rtsh.al/