E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret, MM: 11 vatra aktive dhe 2 nën monitorim, 396 forca të angazhuara

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se deri në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, në territorin e vendit janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 vijojnë aktive dhe 2 janë nën monitorim.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në Malin e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit në zonën e prekur, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe dy helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Në Gurë-Lurë të Dibrës, operacioni vijon në një perimetër të gjerë. Në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 efektivë të Policisë, 11 të ADZM-së, 15 efektivë të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy avionëve “Air Tractor”. Hapja e korridoreve ka penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmës, Dibër/Bulqizë, në terren janë 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA-së. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës.

Në Abazaj të Krujës, vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa zjarri në Zidoll është nën monitorim.

Në Lufaj të Mirditës, strukturat vijojnë punën për hapjen e korridoreve ndarëse, pavarësisht terrenit të vështirë dhe bimësisë së dendur. Nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri mbetet aktiv në një terren shumë të thyer, çka vështirëson ndërhyrjen e forcave të MZSH-së. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gjirokastër, aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Gjormë të Selenicës, vatra është vënë nën kontroll nga strukturat e MZSH-së dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Dardhë të Librazhdit, vijon puna e përbashkët e MZSH-së, shërbimit pyjor dhe forcave bashkiake për shuarjen e zjarrit. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës së zjarreve në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe ato operacionale.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›