E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protesta, zëri i shqiptarëve në Evropë dhe në botë

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar javën e fundit si të dominuar nga protestat kundër qeverisë dhe nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit.

Në një bashkëbisedim në rrjetet sociale, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për korrupsion, arbitraritet dhe indiferencë ndaj situatës së krijuar nga zjarret, ndërsa vuri theksin te puna e forcave zjarrfikëse.

“Prej më shumë se dy javësh dhjetëra e qindra zjarrfikës dhe punonjës të tjerë janë përballur me zjarret në zona të ndryshme të vendit”, tha Berisha.

Kreu i opozitës kritikoi qeverinë për mungesën e mbështetjes financiare dhe për kushtet në të cilat po punojnë efektivët.

“Asnjë qindarkë shtesë gjer sot nuk kanë marrë, përveç mashtrimeve të Edi Ramës.
Pamjet e ushqimit të tyre janë mjerim. Është një injorim, një mosmirënjohje e thellë, e turpshme për sakrificën dhe djersën që derdhin, rrezikun me të cilin përballen këta burra, por edhe qytetarët”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te protestat qytetare, duke i cilësuar ato si uragani i lirisë.

“Ka dështuar me turp e gjithë përpjekja e Edi Ramës për ta përçarë, të gjitha format e përdorura për kërcënim, miklim, etj, ndaj tyre. Ajo protestë është sot zëri i Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Pavarësisht nga metodat e terrorizmit politik dhe psikologjik që përdoren ndaj protestuesve, asgjë nuk do ndalë uraganin e lirisë pa triumfuar”, tha Berisha.

Ai deklaroi se protestat do të vijojnë dhe e cilësoi vjeshtën si një periudhë vendimtare për qytetarët shqiptarë.

“Vjeshta është vjeshta e shqiptarëve, është vjeshta e lirisë, është vjeshta në të cilën qytetarët marrin në dorë fatin e tyre. Ftoj çdo demokrate e demokrat të marrë pjesë në protestë, të mbështesë protestën me pjesëmarrjen e tij ose të saj, si një kontribut historik për vendin, si një kontribut historik për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Berisha.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›