E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zjarret/ Situata më problematike në qarkun e Dibrës, efektivët e FA prej disa ditësh në “luftë” me flakët

Vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në vend, ku më problematike situata paraqitet në qarkun e Dibrës, konkretisht në Balgjaj, Klos dhe në fshatin Madhesh, në Ulëz.

Shumë efektivë të Forcave të Armatosura u janë bashkuar forcave operacionale në disa qarqe të vendit, që po punojnë për shuarje e zjarreve.

Efektivët e Batalionit III të Burrelit, të angazhuar në këto operacione, tregojnë vështirësitë e punës për shkak të terrenit.

“Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar ato,” thotë Nëntoger Kejdi Vani.

Tetari Klodjan Troci thekson se çdo mision ka rreziqet e tij, por terreni i vështirë dhe i thepisur në këtë zonë e bën punën edhe më sfiduese.

“Forcat tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe besoj se kemi kryer detyrën si duhet. Kemi qenë të angazhuar plotësisht që nga momenti i parë kur morëm njoftimin dhe do të vazhdojmë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit,” shprehet ai.

Ministria e Mbrojtjes ka një apel për të gjithë qytetarët q% të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr dhe të reagojnë menjëherë, duke kontaktuar strukturat zjarrfikëse për të parandaluar pasojat.

“Kujdesi ndaj zjarreve është një përparësi e përbashkët, dhe bashkëpunimi i qytetarëve me autoritetet është thelbësor për të shmangur katastrofat dhe për të ruajtur natyrën dhe pronën tonë të përbashkët”, bën thirrje Ministria.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›