E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret “djegin” Gramshin. Flakët vënë në rrezik 10 fshatra, evakuohen qindra banorë

Vijon të jetë kritike situata në Gramsh si pasojë e zjarrit.

Të paktën 10 fshatra janë prekur masivisht nga zjarri që nisi nga fshati Kullollas e më pas u përhap me shpejtësi në zonat fqinje.

Situatë emergjente është veçanërisht në fshatin Nartë dhe Menkollarë, ku po veprojnë tre helikopterë për shuarjen e flakëve, të ndihmuar nga zjarrfikës, banorë të shumtë dhe forca të ushtrisë.

Sipas të dhënave nga kryetari i njësisë administrative Skënderbegas, rezulton që në fshatrat e Gramshit janë djegur 39 banesa. Rreth 200 persona u evakuan për t’i shpëtuar rrezikut, ndërsa 40 prej tyre u vendosën në konviktin e shkollës së mesme.

Këta të fundit folën për orët e tmerrit dhe përballjen me zjarrin, dhe shqetësimin  për çfarë kanë lënë pas.

“Ne ikëm. Se ç’është bërë atje, s’dimë gjë. Këtu na strehuan Bashkia me të ngrënë, me të pirë. Andej nuk dimë gjë ç’është bërë.“

“Lopën e lashë atje dhe ika. Ne atë kemi. Me atë rrojmë. Kur erdhi flaka, patëm çfarë patëm, morëm fëmijët dhe ikëm siç ishim. Unë ika zbathur.“

“Mua më janë djegur gjashtë kasolle.“

Në terren që prej së martës (12 gusht) janë angazhuar në terren mbi 80 efektivë të Zjarrfikëseve të Elbasanit dhe Gramshit, teksa sipas burimeve në zonë kanë ndihmuar mbi 300 vullnetarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›