E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në Darëzezë dhe Zhupan, riaktivizohen vatrat, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës i janë bashkuar aksionit për shuarjen e flakëve në masivin pyjor të Darëzezës.

Zjarri masiv i një dite më parë u shua në mëngjesin e sotëm, por në mesditë vatrat u riaktivizuan, duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Terreni i vështirë ranor e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore. Ndërkohë, Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve mbrojtëse.

Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një tjetër vatër në kodrat e Zhupanit, ku edhe në këtë zonë ndërhyrja me mjete zjarrfikëse ka qenë e kufizuar. Burime pranë prefekturës së Fierit bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.

 /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›