E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret në Kukës, një verë më e qetë, por jo pa rrezik

Ky sezon vere është shfaqur më i qetë për sa i përket rasteve të zjarreve në territorin e qarkut Kukës. Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit është vënë re një rënie e ndjeshme e rasteve të raportuara. Kjo lidhet me ndërgjegjësimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve për të treguar kujdes në ambientet e hapura.

“Situata në territorin e qarkut Kukës është e qetë, kemi pasur raste sporadike dhe krahasuar me vitin e shkuar numri i zjarreve është më i ulët”, u shpreh drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës.

Nenada liston dhe zonat më problematike për rënien e zjarreve.

“Zonat më problematike janë zona e Dukagjinit dhe zona e Gjallicës”, tha ai.

Megjithatë, autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë, pasi temperaturat e larta dhe era përbëjnë faktorë të vazhdueshëm rreziku. Për këtë arsye, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin djegien e mbetjeve apo zjarret në natyrë, pasi çdo pakujdesi mund të kthehet në një rrezik të madh për komunitetin dhe mjedisin.

“Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale dhe janë dëme kolosalë dhe duhen vite të tëra për rikuperim”, theksoi Bajram Nenada.

Situata aktuale mbetet nën kontroll, por bashkëpunimi i qytetarëve mbetet vendimtar për të mbajtur larg rrezikun nga zjarret gjatë gjithë verës.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›