E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret në automjete/Zjarrfikësit, apel për kontrolle pas rasteve të djegies së mjeteve

Pesë automjete janë përfshirë nga flakët gjatë muajve të verës në Korçë, Sipas drejtuesit të shërbimit zjarrfikës në Korçë Alfred Kalemas, fatmirësisht, në asnjë prej rasteve nuk ka pasur persona të lënduar por janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Njoftimi dhe mbërritja në kohë kanë bërë që dëmet në këto automjete të jenë të vogla, kryesisht në pajisjet plastike. Kjo varet edhe nga largësia e vendit ku ka ndodhur djegia e automjetit. Kemi pasur edhe raste kur automjetet janë përfshirë plotësisht nga flakët dhe janë djegur tërësisht”, u shpreh Drejtori i MZSH Korçë.

Sipas Kalemas, shumica e zjarreve në automjete lidhen me defekte teknike në sistemin elektrik ose me mungesën e mirëmbajtjes së rregullt. Për këtë arsye, drejtuesve të mjeteve u rekomandohet të kryejnë kontrolle periodike në servise të autorizuara, veçanërisht gjatë stinës së verës, kur temperaturat e larta rrisin rrezikun e shfaqjes së defekteve.

“Shkak i shpërthimit dhe përhapjes së zjarreve në automjete është mbinxehja e motorit. Një nga shkaqet kryesore është edhe pajisja e quajtur katalizator, e cila, në varësi të përdorimit të automjetit, duhet të zëvendësohet pas një periudhe të caktuar. Një tjetër shkak lidhet me automjetet që përdorin benzinë, të cilat, për t’u bërë më ekonomike, janë përshtatur për të funksionuar edhe me gaz. Nëse këto ndërhyrje nuk kryhen në servise të licencuara ose nuk mirëmbahen siç duhet, ato mund të bëhen shkak për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në automjete”, tha ai.

Kalemas këshillon gjithashtu drejtuesit që, në rast se konstatojnë tym apo erë djegieje gjatë lëvizjes, të ndalojnë menjëherë automjetin në një vend të sigurt, të fikin motorin dhe të njoftojnë shërbimet e emergjencës, duke shmangur çdo veprim që mund të përkeqësojë situatën.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›