FOTOT/ Njerëz që flenë në rrugë e kaos, pamje dramatike nga Ceuta, qyteti spanjoll në veri të Afrikës mbushet me emigrantë
Ceuta u zgjua këtë të premte me qindra emigrantë të rinj që po flinin në parqe, në barin e lagësht dhe pranë hyrjeve të parkingjeve publike, pasi qyteti ka tejkaluar kapacitetet e tij për pritjen e personave që po hyjnë nga Maroku. Ndërkohë, kalimet e emigrantëve në kufi vazhdojnë.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, pritet të vizitojë sot Ceutën për të ndjekur nga afër situatën, pas hyrjes së mijëra personave nga Maroku, e cila ka krijuar një krizë humanitare dhe sfida të mëdha për autoritetet lokale.
Sipas autoriteteve spanjolle, Garda Civile ka nxjerrë nga deti trupat e 19 emigrantëve që humbën jetën duke u përpjekur të hynin me not në enklavën spanjolle. Ndërkohë, në Melilla janë raportuar edhe 300-400 hyrje të tjera gjatë natës.
Në reagim ndaj situatës, Partia Popullore (PP) ka kërkuar ndryshime në ligjin e emigracionit për të mundësuar kthimin e menjëhershëm të emigrantëve në kufi dhe ka kërkuar gjithashtu një seancë të jashtëzakonshme në Parlament ku kryeministri Sánchez të japë shpjegime mbi menaxhimin e krizës.
Ceuta është një qytet autonom spanjoll (enklavë) i vendosur në bregdetin verior të Afrikës, i cili laget nga Deti Mesdhe dhe ndan një kufi tokësor prej 6.4 kilometrash me Marokun. Gjeografikisht, ajo ndodhet direkt përballë gadishullit Iberik, e ndarë nga Spanja kontinentale përmes Ngushticës së Gjibraltarit. Politikisht dhe administrativisht është pjesë integrale e Spanjës dhe Bashkimit Europian.