Zjarret në vend, Vengu: Situata në Finiq drejt normalizimit, flakët nën kontroll

Në Finiq situata me zjarret po shkon drejt normalizimit. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bën të ditur se zjarret janë vënë në kontroll pas ndërhyrjes nga ajri me helikopterin e Forca Ajrore dhe zjarrfikëseve nga toka.
“Pas ndërhyrjes nga ajri me helikopterin e Forca Ajrore dhe punës së pandërprerë dhe heroike nga toka, ku morën pjesë 28 efektivë me 8 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e bashkive Finiq, Sarandë, Delvinë, Konispol, Gjirokastër dhe Dropull, 30 trupa të Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe 3 zjarrfikëse, të ndihmuar nga 5 forca të pyjores dhe 40 forca vullnetare, zjarret janë vënë nën kontroll!”” thuhet në njoftim.
Ministri thotë se aktualisht po vijon puna nga toka për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet gjatë orëve në vijim në fshatrat Dhivër, Shëndre dhe Cerkovicë, ku dalëngadalë banorët po kthehen në shtëpitë e tyre. “Sakaq vigjilencë maksimale gjatë orëve në vijim.”, theksoi ministri në postimin e tij në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/