E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky telefonon Ramën: Po përgatitemi për takime ndërkombëtare, falënderoj Shqipërinë për mbështetjen

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke e falënderuar atë për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë.

Gjatë bisedës, Zelensky e informoi Ramën për situatën në frontin e luftës dhe për bisedimet e fundit diplomatike, ndërsa theksuan bashkëpunimin për t’i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo bisedë vjen në një periudhë intensive diplomatike, vetëm një ditë pasi i dërguari i SHBA-ve takoi presidentin rus Vladimir Putin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjithashtu ka shprehur angazhimin e tij për të ndërmjetësuar një paqe, duke njoftuar se po përgatit një takim me Putin javën e ardhshme, i ndjekur nga një takim trepalësh Putin-Trump-Zelensky në një nga vendet negociatore.

Përmes një postimi në platformën X, Zelensky theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

“Pata një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë @ediramaal. E informova shkurtimisht për situatën në front dhe në diplomaci,” shkroi ai. “Po punojmë me të gjithë partnerët tanë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndaluar vrasjet sa më shpejt të jetë e mundur.”

Lideri ukrainas zbuloi gjithashtu se biseda me Ramën përfshiu edhe “përgatitjet për takime në vende të mëdha ndërkombëtare”, të cilat ai i përshkroi si “formate të veçanta angazhimi me partnerët” që do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin ukrainas.

Postimi i Zelenskyt përfundon me një mesazh falënderimi për kryeministrin dhe popullin shqiptar: “Faleminderit, Edi, faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen tuaj të palëkundur për Ukrainën.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›