E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret pasoja edhe ne mjedis

Ekspertët e Mjedisit japin alarmin për rritjen e shkallës së erozionit në kohën e reshjeve, si pasojë e djegies masive të pyjeve, që ende vazhdojnë.

Duke e konsideruar këtë vit, si të jashtëzakonshëm, jo vetëm sa i përket temperaturave të larta që përbëjnë një nga shkaqet e djegies së pyjeve, por edhe për shkak të zjarrvënieve të qëllimshme, ekspertët shprehin shqetësimin e tyre lidhur me impaktet negative, që do të shkaktojnë në mjedis.

"Sapo të nisin shirat, marrin të gjithë masën e dheut, të humusit dhe e çojnë në përrua. Në rastet kur ka pyll, amortizohen goditjet", thotë Haki Zoto, specialist në Ministrinë e Mjedisit.

Një tjetër shqetësim përbën dëmtimi që po pëson fauna, çka sipas specialistëve, po ndikon në shkatërrimin e të gjithë ekosistemit.

"Përveç dëmit që i shkaktohet florës, një dëm i shkaktohet edhe faunës së egër, në pyjet e lartë ku kanë rënë zjarret, ku qëndrojnë ariu, kaprolli, derri i egër, lloje gjitarësh dhe shpendësh", thotë Zoto.

Disa nga zonat më problematike janë ato të Bulqizës, Pukës, Tepelenës dhe Korcës, të cilët vazhdojnë të shkrumbohen nga zjarret.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›