Zjarri masiv në fshatin Radostinë të Fierit, rrezikohen bizneset, karburanti dhe banesat, helikopteri ndërhyn nga ajri

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë në orët e mesditës një sipërfaqe të gjerë me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë të Bashkisë Fier, duke krijuar një situatë kritike për banorët dhe sipërmarrjet e zonës. Flakët u janë afruar me shpejtësi ambienteve rreth Liqenit të Levanit, duke rrezikuar drejtpërdrejt disa biznese, një pikë karburanti dhe zona të banuara.
Raportohet se zjarri ka djegur tashmë një banesë, ndërsa disa të tjera mbeten të rrezikuara, çka ka detyruar autoritetet të nisin evakuimin e banorëve. Flakët ndodhen rreth 200 metra larg objekteve kryesore, duke shtyrë pronarët e lokaleve të largojnë me urgjencë stafin, klientët dhe orenditë. Duke përshkruar përmasat e dëmit dhe frikën e shkatërrimit të investimeve, një punonjëse e një prej lokaleve të rrezikuara u shpreh se “janë shpenzime të mëdha, atje punojmë, mos të kapë te lokali, janë miliona lekë të hedhura, punëtorë janë të gjithë, është shumë e vështirë për të gjithë. Zjarri ka përmasa të mëdha, ullinj, anash lokalit. Është katastrofë!”
Për shkak të tymit të dendur që ka mbuluar zonën, qarkullimi rrugor në boshtin Fier-Levan dhe në Qafën e Koshovicës është vështirësuar ndjeshëm, ndërsa është ndaluar përkohësisht edhe lëvizja e trenit.
Operacioni i fikjes së zjarrit po përballet me pengesa të mëdha për shkak të terrenit të thyer malor, i cili pengon depërtimin e mjeteve zjarrfikëse, si dhe erës së fortë që favorizon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe përfshirjen e pikës së karburantit, në ndihmë të ekipeve nga toka ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
/rtsh.al/