Zjarri në Krujë, Rama ndan dëshmitë e banorëve: Shteti ishte në këmbë, ndërhyrja na shpëtoi shtëpitë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale dëshmitë e banorëve të Krujës, të cilët tregojnë momentet e vështira të përjetuara gjatë natës, pas zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu malin e Krujës. Banorët kanë vlerësuar angazhimin e strukturave shtetërore në përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave.
“Me thënë të drejtën, mendova se dje m’u dogj shtëpia. Këtu ka qenë shteti i gjithë në këmbë, duke filluar nga ministri i Brendshëm, te Hita, të gjithë punonjësit e Policisë. Po të mos ishin ata, shtëpia ime ishte djegur. Mbrëmë këtu u ka dëgjuar era shtet”, tha një prej banorëve.
Një tjetër banor e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme: “Zjarri këtu ishte si me qenë fundi i botës. Zoti është i madh dhe shteti shqiptar ka qenë në gatishmërinë numër një. Gatishmëria dhe puna që është bërë këtu, neve sot na ka shpëtuar”.
Një tjetër banore vlerësoi punën e ekipeve në terren, duke përmendur zjarrfikësit, Emergjencat Civile dhe helikopterët që u angazhuan për shuarjen e flakëve.
“Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë, se këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, tha ajo.
“Faleminderit Zotit dhe shtetit që na ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Kemi kaluar një natë të tmerrshme si qytet. Edhe njëherë tjetër dua t’i falënderoj forcat zjarrfikëse dhe të Policisë”, u shpreh një tjetër banor i Krujës.
Ndërkohë, një tjetër banor e cilësoi ndërhyrjen si “punë heroike”, duke shtuar: “Janë heronj”.
Një tjetër dëshmi vjen nga një banor që tha se zona u përball me një situatë tepër të rrezikshme për shkak të përmasave të zjarrit.
“Mbrëmë kaluam një situatë shumë të rrezikshme. Siç e shikoni edhe vetë, shpërtheu një zjarr i madh. Ne ishim në një situatë shumë të rrezikshme. Por, falë ndërhyrjes së Komisariatit të Krujës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe bazës mbështetëse të helikopterëve, dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Qeverinë për masat që mori, që ne sot jemi gjallë dhe banesa është e paprekur”, tha ai.
/rtsh.al/