Zjarri në Llogora, Carai: I qëllimshëm, autorët do të vendosen para ligjit

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Zjarrfikses, Arben Carai, në një prononcim për mediet, duke ndjekur nga afër punën e forcave zjarrfikëse dhe emergjencave civile për shuarjen e zjarrit në Qafën e Llogorasë, deklaroi se dyshimet janë se zjarri ishte i qëllimshëm. Sipas tij, autorët e vendosjes së zjarrit, do të vendosen përpara përgjegjësisë.
“Këto vatra zjarri patjetër që kanë dorën e njeriut. Ashtu siç ka thënë dhe ministri në deklarata të mëparshme, këto lloj zjarresh kanë patjetër dorën e njeriut dhe se nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi. Autorët do të vendosen para ligjit. Policia po heton dhe do t’i vendosë autorët përpara ligjit. Vepra penale është shumë e rëndë. Ne bashkë me Policinë e Shtetit sdo të ndalemi për të ndaluar këtë katastrofë”, tha ai.
“Kemi pasur dy vatra zjarri paralele një në Dhërmi dhe një në Llogora, fatmirësisht vatrat e zjarrit në Dhërmi i kemi mbyllur në një kohe shumë të shpejtë, pasi vendosem në lëvizje të gjitha strukturat ndërhymë edhe nga ajri me helikopter. Rreth 40 forca zjarrfikëse, jemi vendosur në qafën e Llogorasë pasi era po favorizon vatrat e zjarrit, situata është nën kontroll dhe nuk rrezikohet Parku Kombëtar i Llogorasë”, tha ai.
Dy vatra zjarri prekën jugun e vendit këtë të enjte. Një në Dhërmi, në lagjen “Kondraq”, ku policia ka nisur hetimet, pasi dyshohet se u shkaktua nga një shkëndijë elektrike. Dhe një vatër zjarri në Qafë Llogora, ku dhe Agjencia për Mbrojtjen e Civile bëri apel për kufizim të qarkullimit.
/r.e/