E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në disa fshatra në Fier, arrestohet 50-vjeçari dhe vihet në hetim një tjetër

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Policia e Fierit bëri sot të ditur se ka zbardhur dy raste zjarrvënieje dhe ka vënë në pranga një persona, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Policia njoftoi se si rezultat i veprimeve të shpejta në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke në fshatin Daullas, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë, pranë vatrës së zjarrit, shtetasin A. G., 50 vjeç, i cili kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e shkurreve.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi.

Gjithashtu, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe kapur pranë një vatre zjarri, në tokën në pronësi të tij, shtetasin Q. Y.

Sipas policisë, ky shtetas ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve, por si pasojë e erës së fortë, flakët janë përhapur dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar disa banesa, si dhe është përfshirë nga flakët një sipërfaqe e madhe me bimësi. Për shkak të moshës, shtetasi Q. Y. është proceduar penalisht.

Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›