Zjarri në landfillin e Elbasanit, autoritetet nisin hetimet për zbardhjen e shkaqeve

Policia e Elbasanit ka reaguar për situatën e zjarrit të rënë një ditë më parë në landfillin e mbetjeve urbane në periferi të qytetit.
Në një njoftim zyrtar, bëhet e ditur se Zyra Kundër Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan ka nisur hetimet për “zbardhjen e shkaqeve, rrethanave dhe përgjegjësve”, përfshirë mundësinë e “zjarrvënies së qëllimshme”.
Gjithashtu mësohet se hetimeve u është bashkuar edhe Prokuroria e Rrethit.
“Në lidhje me zjarrin e përhapur në vendgrumbullimin e mbetjeve, në Elbasan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të zjarrit, sqarimin e rrethanave dhe individualizimin e përgjegjësive mbi këtë rast”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse, po punojnë për neutralizimin e zjarrit.
Operacioni për shuarjen e flakëve në landfillin e Elbasanit po vijon në ditën e dytë, teksa të paktën 20 mjete të ndryshme ndodhen në terren për shuarjen e flakëve.
/rtsh.al/