Zjarri përfshin disa fshatra në Fier, evakuohen 11 familje; dy persona në hetim

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë disa zona në Fier, duke detyruar autoritetet të evakuojnë 11 familje nga banesat e tyre, ndërsa dhjetëra efektivë, forcat zjarrfikëse dhe helikopterë të Forcave të Armatosura vijojnë operacionin për shuarjen e flakëve.
Sipas Policisë, vatra e zjarrit ka nisur pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, dhe më pas është përhapur drejt zonës së Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara pranë fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.
Për shkak të erës së fortë dhe rrezikut nga përhapja e flakëve, Policia ka evakuuar 11 familje dhe vijon të monitorojë banesat dhe subjektet e tjera që mund të rrezikohen. Në gatishmëri ndodhet edhe ekipi i urgjencës së spitalit.
Për të lehtësuar operacionin, Policia Rrugore ka bllokuar qarkullimin e mjeteve në të dy drejtimet e segmentit rrugor Qafa e Koshovicës–Cakran, ndërsa po asiston forcat zjarrfikëse me transportin e pajisjeve në zonat me terren të vështirë.
Sponsorizuar
Sipas të dhënave paraprake, deri tani nuk është raportuar asnjë rast asfiksie apo lëndimi të banorëve. Autoritetet kanë bërë të mundur gjithashtu shuarjen e flakëve që kishin përfshirë një banesë, duke shmangur dëme më të mëdha dhe duke regjistruar vetëm dëmtime të lehta materiale.
Në operacion janë angazhuar forcat “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policia Rrugore, grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, si dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të cilët po koordinojnë veprimet në terren.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kanë shoqëruar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.